MPB: Shkatërrohen 3 banda kriminale, arrestohen 15 persona nga rajoni i Shkupit

27 lokacione të bastisura në aksionin e drejtuar nga Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion

27 lokacione të bastisura, 15 të arrestuar dhe 3 banda të shkatërruara. Ky është rezultati i aksionit të sotëm policor të kryer me urdhër të Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion. Të arrestuarit janë nga Haraçina, Hasanbegu, Kisella Voda, Karposhi dhe Shuto Orizarja.

“Pas marrjes së urdhrave për bastisje të lëshuara nga gjyqtari për procedurë paraprake, janë kryer bastisje në gjithsej 27 lokacione në Shkup dhe janë ndaluar 15 persona të moshës nga 20 deri në 54 vjeç, të gjithë nga Shkupi, ndërsa tre (Z.N., E.S. dhe S.S. ) janë në kërkim. Gjatë kontrolleve në disa lokacione janë gjetur dhe konfiskuar kokainë dhe marihuanë, të cilat janë lëndë e ekspertizës, janë gjetur municione luftarake, një armë, automjete për pasagjerë, një sasi e madhe e devizave dhe parave në denarë, telefona celularë”, thonë nga MPB.

Për rastin janë deklaruar edhe nga Prokuroria, prej ku thonë se kanë kërkuar paraburgim për të gjithë të arrestuarit. Aksionit, sipas prokurorisë, i ka paraprirë një periudhë hetimi disamujor.

“Pesëmbëdhjetë të dyshuar gjatë ditës do të sillen para gjykatësit për procedurë paraprake në Gjykatën Themelore Penale Shkup, ndërsa tre janë të paarritshëm për organet e rendit. Prokurori në fjalë nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, duke vlerësuar se ekzistojnë rrethana që arsyetojnë frikën nga rreziku i arratisjes, se do të fshehin, falsifikojnë apo asgjësojnë gjurmët e veprës penale dhe se duke ndikuar dëshmitarët dhe bashkëpunëtorët do ta pengojnë hetimin, do t’i sugjerojë gjyqtarit të procedurës paraprake caktimin e masës së paraburgimit për të gjithë të dyshuarit”, thonë nga prokuroria.

Sipas Kodit Penal, dënim me burg prej së paku 5 viteve rrezikojnë të arrestuarit e dyshuar për lëndë narkotike, ndërsa të dyshuarit për armëmbajtje pa leje dhe tregti me armë rrezikojnë burg prej së pak 8 viteve./KlanMacedonia

Albrim Hoxha

Lexo gjithashtu
Total
0
Share