Ati i Shenjtë u shpreh se tregu i lirë po i pengon të rinjtë të kenë fëmijë, ndërsa vetëm të pasurit mund ta përballojnë këtë
Krijimi i një familjeje në Itali po bëhet një “përpjekje titanike” që vetëm të pasurit mund ta përballojnë. Kështu ka deklaruar Papa Françesku teksa mes të tjerash është shprehur se kushtet e vështira të tregut të lirë po i pengonin të rinjtë të kenë fëmijë.
Lindjet në Itali ranë nën 400,000 në vitin 2022, duke regjistruar një ulje vjetore për herë të 14-të radhazi, me popullsinë e përgjithshme qe ka pesuar renie në 58.85 milionë.
Duke folur në një konferencë mbi krizën demografike në rritje, Papa Françesku tha se rënia e lindjeve sinjalizon mungesë shprese në të ardhmen, me brezat e rinj të rënduar nga një ndjenjë e pasigurisë.
“Vështirësia në gjetjen e një pune të qëndrueshme, vështirësia në mbajtjen e një të tillë, shtëpitë tepër të shtrenjta, qiratë e larta dhe pagat e pamjaftueshme janë probleme reale. Tregu i lirë tepër i egër po prodhon situata dhe pabarazi gjithnjë e më të rënda. Nuk mund të pranojmë që kaq shumë të rinj të luftojnë për të realizuar ëndrrën e tyre familjare dhe detyrohen të ulin dëshirën për shkak të një sërë arsyesh.”
Papa tha se kafshët shtëpiake po zëvendësonin fëmijët në disa familje dhe tregoi se si një grua në një audiencë të kohëve të fundit kishte hapur çantën e saj dhe kishte kërkuar një bekim papal për “bebin e saj”, pra qenin.
Një rënie e popullsisë është një shqetësim i madh për vendin e tretë më të madh të eurozonës, ku ekspertët janë shprehur se prodhimi i brendshëm bruto rrezikon të bjerë me 18 pikë përqindjeje gjatë dy dekadave të ardhshme nëse trendet aktuale të lindjeve vazhdojnë të jenë në rënie. Po ashtu, ky shqetësim po vihet re edhe në shkollat e Italisë ku ka më pak nxënës dhe pritet të tkurret me një milion fëmijë gjatë 10 viteve të ardhshme.
Klan News