Kryetari i PD, Sali Berisha ka zhvilluar sot në turin e tij elektoral takimin me kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë Berat, Zija Ismaili. Berisha nga Berati iu tha qytetarëve se në 14 Maj ata votojnë për veten e tyre, rivendosjen e pluralizmit, ndaj dhe duhet që të votojnë për ndryshimin.
Lideri i opozitës theksoi se, me ardhjen në pushtet të PD, energjia e cila është shndërruar në makthin e shqiptarëve, nga 220 Lekë, do të shkojë sërish në 6 Lekë, siç ka qenë më parë. Berisha tha se pasuritë e Shqipërisë janë të mëdha, dhe se populli nuk është i varfër nga natyra, por nga qeveria që vjedh pareshtur.
Kryetari i PD, Sali Berisha shprehu se gënjeshtrat e rilindasve nuk kanë të sosur, kështu që ai propozoi që për mashtrimet e tyre të varet një barometër në Parlament. Një ndër rastet kryesore që theksoi Berisha në fjalën e tij, ishte edhe furnizimi i Beratit me 24 orë ujë, ku kjo e fundit nuk është e vërtetë.
“Berati nuk ka ujë 24 orë, por është një gënjeshtër parlamentare. Unë kam kërkuar që të gjejmë një barometër të gënjeshtrave e ta varim aty në parlament, se ju nga mëngjesi deri në darkë në sesionet e parlamentit dëgjoni rilindasit që nxjerrin vetëm gënjeshtra ndaj jush. Në fshatrat e Beratit, as nuk bëhet fjalë për furnizim me ujë. Fshatarët e Beratit sot janë më të braktisur se kurrë. Atëherë, iu bëj thirrje të votojnë për veten e tyre. Në qoftë se ndjehen mirë, dakord, por nëse konstatojnë se janë braktisur, se fermat e tyre nuk kanë sukses, se prodhimet e tyre nuk rrisin mirëqënien e tyre, atëherë i ftoj të votojnë ndryshimin. Ndryshimi është në duart tuaja, votoni Zija Ismailin”, tha Berisha./tvklan.al