Shqiptarët do të shohin fatin drejt tokës së premtuar në orën 18:00
Dalin sot rezultatet e Lotarisë Amerikane. Duke nisur nga ora 18:00 të gjithë ata që kanë aplikuar për Lotarinë Amerikane mund të mësojnë nëse janë përzgjedhur si fitues apo jo.
Rezultatet do të mund të shihen në uebfaqen e Departamentit të Shtetit, ku nga aplikantët duhet që të vendoset kodi unik që ju është dhënë në muajin Tetor kur kanë bërë edhe aplikimin. Siç është sqaruar edhe në vitet e tjera, përzgjedhja e fituesve është bërë në mënyrë rastësore përmes një shorti kompjuterik.
Statistikat zyrtare të Departamentit Amerikan të Shtetit bëjnë të ditur se numri i shqiptarëve që kanë aplikuar për Lotarinë Amerikane, ka ardhur duke u rritur. 50 mijë viza emigruese ofrohen çdo vit për vende të ndryshme. Por emigrantët e pranuar janë më pak se 50 mijë për një periudhë 5-vjeçare.
Vizat ndahen në gjashtë rajone gjeografike në përpjestim me popullsinë e rajonit dhe me numrin e emigrantëve të pranuar në SHBA pesë vjeçarin e fundit. Çdo vend nuk mund të marrë më shumë se 7 për qind të numrit të përgjithshëm të vizave në dispozicion.
Gjatë një viti, 5 përqind e emigrantëve hyjnë në SHBA si fitues të Lotarisë Amerikane.
Ndër vendet më të favorizuara me më shumë përfitues nga Lotaria Amerikane janë Ukraina, Uzbekistani, Rusia, Turqia, Armenia, Bullgaria, Gjermania, Rumania dhe Bjellorusia. Nga San Marino, Vatikani dhe Luksemburgu nuk ka asnjë fitues, kjo edhe për shkak se emigrimi pothuajse nuk ekziston si koncept në këto mini-shtete.
Klan News