Korridori 8 dhe 10D ua zgjat orarin e punës edhe partive

Edhe për fundjavë “shigjeta” prej pallatit të bardhë drejt bulevardit Ilinden nr.2

Korridori 8 dhe 10D i la pa ditë pushimi partitë politike. Edhe sot, akuza mes pushtetit dhe opozitës. Kësaj radhe, VMRO DPMNE reagon për vendimin e Qeverisë që Ligjet që kanë të bëjnë me realizmin e projektit për Korridorin 8 dhe 10D ti kthejë në procedurë parlamentare me flamur evropian.

“Tashmë ndryshimet e pesë ligjeve që lidhen me realizimin e dyshimtë, ose më saktë kriminal të Korridorit 8 dhe Korridorit 10d, do të barten me flamurin e popullarizuar europian ose lexo: pa debat në Kuvend. Bëhet fjalë për një sërë ligjesh që janë saktësisht në kundërshtim me vlerat evropiane, si dhe me të drejtën pozitive në Maqedoni. Një javë pune 60 orëshe nuk mund të jetë vlerë evropiane, kur është në kundërshtim me Kushtetutën dhe në kundërshtim me parimet evropiane. Nuk mund të jetë vlerë evropiane dhënia ‘në mënyrë eksprese’ e licencës për shfrytëzimin e burimeve minerale pa një procedurë të detajuar që mbulon mbrojtjen e mjedisit, zonave arkeologjike, burimeve natyrore dhe të ngjashme. Nuk mund të jetë vlerë evropiane të mos pranosh dhe të mos respektosh ligjet e tua kombëtare”, thonë nga VMRO-DPMNE.

E dy partnerët e koalicionit, BDI dhe LSDM në të njëjtën vijë. VMRO DPMNE pa asnjë arsye, për pikë të ulëta politike po tenton ti dëmtojë qytetarët duke bllokuar ligjet që shtetit do ti mundësojë të paguajë 150 milion euro më pak.

“Ligji i Punës i lejon të punësuarit, me pëlqimin paraprak me shkrim dhe me orar shtesë të paguar plotësisht, të mund të punojë punë shtesë, ndërsa duhet të respektohen dispozitat për 12 orë pushim dhe 24 orë pushim gjatë javës. Ligjet e tjera lehtësojnë dhe thjeshtësojnë procedurat institucionale për të gjitha projektet kombëtare dhe strategjike të vendit, jo vetëm për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10 – D, por edhe për hekurudhat, projektet energjetike, gazsjellësi etj. Bllokada e paarsyeshme dhe e pakuptueshme e VMRO-së dhe Levicës i kushton shtetit dhe qytetarëve më shumë se 150 milionë euro ndërtime më të shtrenjta dhe mbi dy vjet ndërtim të gjatë”, thuhet në reagimin e BDI-së.

“Ky është projekti më i madh infrastrukturor në historinë e vendit, me vlerë 1.3 miliardë euro. Nga këto fonde, të paktën 600 milionë euro do të përfundojnë tek kompanitë tona vendase, ekonomia maqedonase ka akses në dy porte të reja – Durrësin dhe Burgasin, dhe rritje nominale të PBB-së prej dy për qind në vit. Kuvendi duhet të miratojë ndryshime në pesë ligje, në mënyrë që korridoret, si projekte kombëtare dhe strategjike, të ndërtohen më shpejt dhe të kushtojnë 150 milionë euro më pak”, thonë nga LSDM.

Nga LSDM janë të vendosur mos të lejojnë që të përsëritet kaosi si në autostradën Kërçovë-Ohër, si dhe mos të lejojnë që bllokadat e Levicës dhe VMRO DPMNE-së të faturohen në shpinën e qytetarëve. /KlanMacedonia

Furkan Saliu

Lexo gjithashtu
Total
0
Share