Artan Grubi dhe Dimitar Kovaçevski, sipas VMRO-DPMNE-së, nuk e heqin nga goja Bashkimin Evropian, por cdo ditë, sipas kësaj partie, abuzojnë me vlerat e BE-së, përcjell KlanM.
“Tashmë ndryshimet e pesë ligjeve që lidhen me realizimin e dyshimtë, ose më saktë kriminal të Korridorit 8 dhe Korridorit 10d, do të barten me flamurin e popullarizuar europian ose lexo: pa debat në Kuvend. Bëhet fjalë për një sërë ligjesh që janë saktësisht në kundërshtim me vlerat evropiane, si dhe me të drejtën pozitive në Maqedoni. Një javë pune 60 orëshe nuk mund të jetë vlerë evropiane, kur është në kundërshtim me Kushtetutën dhe në kundërshtim me parimet evropiane. Nuk mund të jetë vlerë evropiane dhënia ‘në mënyrë eksprese’ e licencës për shfrytëzimin e burimeve minerale pa një procedurë të detajuar që mbulon mbrojtjen e mjedisit, zonave arkeologjike, burimeve natyrore dhe të ngjashme. Nuk mund të jetë vlerë evropiane të mos pranosh dhe të mos respektosh ligjet e tua kombëtare”, thuhet në reagimin e VMRO-së.
Me këtë, sipas VMRO-së, Grubi dhe Kovaçevski po keqpërdorin vlerat evropiane, po keqpërdorin BE-në, të gjitha, sipas kësaj partie, për të mbushur xhepat dhe për të vjedhur popullin.
“Grubi dhe Kovaçevski praktikojnë vetëm dhunë dhe krim. Kjo që po bëjnë është krejtësisht kundër vlerave evropiane, parimeve të BE-së. Këtë sot ua kanë thënë qartë përfaqësuesit e BE-së në vend. Grubi dhe Kovaçevski po keqpërdorin mekanizmin e votimit të ligjeve me flamur evropian për të vjedhur në emër të BE-së. Me këtë vetëm po e dëmtojnë Maqedoninë. Grubi dhe Kovaçevski i pranojnë çdo ditë gabimet e tyre, pasi dje Grubi pranoi se është nënshkruar një marrëveshje që parashikon pagesën e gjobave prej mbi 150 milionë eurosh, por nuk thotë se tashmë ka arritur detyrimi për t’i paguar”, thuhet më tej në reagim.
VMRO kërkon nga Grubi dhe Kovaçevski që të mbajnë përgjegjësi dëmin që, siç shprehen, i bëjnë Maqedonisë dhe qytetarëve të saj./KlanMacedonia