Roma hakmerret duke anuluar vizitën e ministrit të jashtëm italian në Paris
Nuk është hera e parë që Franca dhe Italia shkëmbejnë akuza kur bëhet fjalë për çështjen e emigrantëve. Së fundmi, ministri i Brendshëm Gerald Darmanin, e ka akuzuar kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni se është e paaftë të zgjidhë krizën e emigracionit.
Deklaratat e ministrit francez erdhën ndërsa Tajani po përgatitej të fluturonte për në Paris për të parë homologun e tij francez, një udhëtim që kishte për qëllim përmirësimin e marrëdhënieve midis dy vendeve të Bashkimit Evropian që janë bërë gjithnjë e më të brishta.
Franca lëshoi shpejt një deklaratë në të cilën kërkonte të siguronte Romën për gatishmërinë e saj për të punuar ngushtë me Italinë për këtë çështje të përbashkët, por kjo nuk ishte e mjaftueshme për të bindur Tajanin të realizonte vizitën e tij në Paris.
“Nëse nuk ka respekt për Italinë, unë nuk mund të marr pjesë në një takim dypalësh me një qeveri që ka një ministër që na ofendon pa arsye.”
Tajani e cilësoi sjelljen e Parist si thikë pas shpine. Italia ka parë një rritje të ardhjeve të emigrantëve që kur Meloni fitoi pushtetin vitin e kaluar. Më shumë se 42,400 njerëz kanë zbarkuar në Itali deri më tani, kundrejt rreth 11,220 emigrantë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Klan News