Kryeministri hungarez sulmoi liberalizimin duke e cilësuar si një virus dhe deklaroi se Hungaria është model për botën
Udhëheqësi hungarez Viktor Orbán i ka bërë thirrje ish-presidentit Donald Trump të kthehet, duke pretenduar se populizmi në mbarë botën është në rritje.
Gjatë një fjalimi para republikanëve amerikanë dhe aleatëve të tyre evropianë në Budapest, Orban sulmoi liberalizmin si një virus dhe deklaroi se vendi i tij është model për botën.
“Jam i sigurt se nëse presidenti Trump do të ishte sërish president, nuk do të kishte luftë në Ukrainë dhe Evropë. Kthehu, zoti President! Bëje Amerikën sërish të madhe dhe na sill paqe.”
Vendi ku u mbajt konferenca ishte mbushur me mesazhe që i bënin jehonë kësaj teme. Kryeministri hungarez deklaroi se konservatorët kanë gjetur mbështetje si në Budapest, Varshavë, Romë dhe Jerusalem.
“Hungaria është një inkubator ku po testohen politikat konservatore të së ardhmes”, tha Orbán. Disa të ftuar mbërritën me bluza që shfaqnin Orbanin dhe Trumpin së bashku si “paqebërës” dhe “shpëtimtarë të botës”. Motoja e ngjarjes 2023 ishte “Të bashkuar qëndrojmë”.
Shumicës së gazetarëve të pavarur iu refuzua akreditimi për këtë ngjarje, në një vend ku Instituti Ndërkombëtar i Shtypit ka thënë se liria e medias mbetet në nivelet më të ulëta. Gjatë shpërthimit të Covid, qeveria e Orbanit miratoi një ligj që vendos dënime me burg deri në pesë vjet për përhapjen e dezinformatave. Gazetarët hungarezë thonë se ligji po përdorej për t’u mohuar aksesin në informacion.
Vitin e kaluar, Orbán e quajti Hungarinë “bastion i vlerave konservatore të krishtera në Evropë” dhe u kërkoi konservatorëve amerikanë të mposhtin “dominimin e liberalëve përparimtarë në jetën publike” siç kishte bërë në Hungari.
Klan News