Është zhvilluar sot Konkursi Ndërkombëtar për projektin e stadiumit të ri të Durrësit. Në këtë aktivitet mori pjesë edhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili është gjithashtu pjesë e jurisë që do të përzgjedhë edhe projektin fitues.
Me këtë rast, Duka theksoi se qyteti i Durrësit e meriton një investim të tillë, që do të ketë një impakt të madh në anën ekonomike e sportive të qytetit.
Sipas tij, të gjitha investimet e bëra në stadiume janë fryt i bashkëpunimit të shkëlqyer dhe i bashkimit të forcave mes Federatës Shqiptare së Futbollit dhe qeverisë shqiptare dhe kryeministrit Edi Rama, ndërsa shprehu bindjen se me investimet e reja Shqipëria do të bëhet vendi me infrastrukturën më të mirë sportive në rajon.
Gjithashtu, Presidenti Duka bëri edhe një herë thirrje për të mbështetur nismën e FSHF-së për ndërtimin e fushave të reja stërvitore që do të nxisin edhe më shumë zhvillimin e futbollit në vend.
“Durrësi mbase e meritonte shumë më parë një investim të tillë, por asnjëherë nuk është vonë. Me iniciativën që është marrë nga Kryeministri në këtë stacion të dytë, sepse i pari ishte Korça dhe i treti do të jetë Vlora në këtë tur, ne plotësojmë infrastrukturën sportive të futbollit të luajtur në Shqipëri”, tha Duka.
“Me përfundimin e këtyre tre stadiumeve do të jemi vendi më i mirë në rajon sa i përket infrastrukturës sportive të futbollit. Të gjitha investimet e bëra në stadiume janë fryt i bashkëpunimit të shkëlqyer të FSHF-së, qeverisë shqiptare dhe kryeministrit Edi Rama. Me këtë lloj bashkëpunimi jam shumë i sigurt që do bëjmë shumë gjëra të tjera, shumë më të mira për futbollin”., shtoi ai.