Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti serb Vuçiq janë marrë vesh sot në Bruksel për Deklaratën e përbashkët politike për Personat e Zhdukur, përcjell Klan Macedonia. Në bazë të kësaj deklarate, të dyja palët theksojnë rëndësinë e zgjidhjes së fatit të personave të mbetur të zhdukur për t’iu dhënë fund vuajtjeve të të dashurve të tyre dhe për të nxitur pajtimin dhe paqen e qëndrueshme.
Deklarata ndjek mirëkuptimin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK) për Personat e Zhdukur, i cili përfshin personat e zhdukur me forcë, ndërsa siç përcjell KlanM, në bazë të saj vihet në pah se të gjitha kategoritë e Personave të Zhdukur, do të trajtohen me prioritet të barabartë. Në bazë të kësaj deklarate, çështja e Personave të Zhdukur njihet si çështje humanitare.
Klan Macedonia iu sjell zotimet e Kurtit dhe Vuçiqit në bazë të kësaj marrëveshjeje.
Ne angazhohemi së bashku
-
Për të siguruar zbatimin e plotë të angazhimeve përkatëse në fushën e Personave të Zhdukur,
-
për të bashkëpunuar ngushtë për identifikimin e vendeve të varrimit dhe ndjekjen e gërmimeve,
-
për të siguruar akses të plotë në informacione të besueshme dhe të sakta që ndihmojnë në gjetjen dhe identifikimin e personave të mbetur të humbur brenda periudhës kohore 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000. Kjo përfshin të gjitha materialet, shënimet, urdhrat, dokumentet, videot, regjistrimet audio dhe çdo dokument tjetër duke përfshirë ato me status të klasifikuar, nën zotërimin e institucioneve të të dyja palëve, të rëndësishme për këtë kontekst,
-
të vëmë në dispozicion të gjithë dokumentacionin vendas dhe ndërkombëtar me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të mbetur të zhdukur,
-
për të përdorur të dhëna satelitore, LIDAR dhe teknologji të tjera të avancuara në zbulimin e varrezave masive,
-
të mundësojmë dhe inkurajojmë angazhimin aktiv të familjeve të Personave të Zhdukur në procesin e identifikimit të fateve të tyre,
-
për të siguruar në mënyrë adekuate të drejtat dhe adresuar nevojat e familjeve të personave të zhdukur,
-
të krijojmë dhe të punojmë së bashku përmes një Komisioni të Përbashkët të kryesuar nga Bashkimi Evropian dhe të vëzhguar nga KNKK me synimin për të mbështetur përpjekjet për të zgjidhur fatin e personave të mbetur zhdukur,
-
të monitorojmë dhe mbështesim punën dhe progresin e bërë nga Grupi Punues për Personat e Zhdukur përmes Komisionit të Përbashkët. Në këtë kontekst, palët do të rishikojnë dhe përditësojnë Termat e Referencës dhe kuadrin e Përgjithshëm të Grupit të Punës.
Detajet operacionale, siç thuhet, do të bien dakord në takimin e ardhshëm të Dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve./KlanMacedonia