Rrjedhja e gazit mbyt 11 persona në Indi

Një rrjedhje gazi vrau 11 njerëz në Indi të dielën, në aksidentin më të fundit vdekjeprurës industrial.

Rrjedhja e gazit ndodhi në Giaspura, një zonë industriale në Punjab.

“Njëmbëdhjetë vdekje janë konfirmuar,” u tha gazetarëve Mandeep Singh Sidhu, komisioneri i policisë në atë zonë duke shtuar se katër persona u shtruan në spital.Shkaku i rrjedhjes ende nuk u konstatua.

Pesë gra ishin në mesin e atyre që vdiqën, raportoi transmetuesi NDTV, ndërsa gjashtë viktimat e tjera përfshinin dy djem të moshës 10 dhe 13 vjeç, sipas autoriteteve.

Rrjedhjet e gazit industrial për shkak të standardeve të dobëta të sigurisë dhe kontrolleve të pamjaftueshme janë të zakonshme në Indi.

Gushtin e kaluar, të paktën 112 gra u shtruan në spital pas një rrjedhje gazi në një fabrikë të prodhimit të veshjeve në shtetin jugor të Andhra Pradesh.

Kjo pasoi një aksident të ngjashëm në qershor, kur rreth 200 gra humbën vetëdijen pas një rrjedhje gazi në të njëjtën zonë.

Në vitin 2020, të paktën 15 njerëz u vranë dhe qindra u shtruan në spital pas një rrjedhje gazi në një fabrikë kimike në Visakhapatnam, një qytet port industrial në të njëjtin shtet.

Gati 1000 njerëz u ekspozuan ndaj gazit dhe më shumë se 500 u shtruan në spital me simptoma të shqetësimit të rëndë të frymëmarrjes dhe acarim të lëkurës dhe syve./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share