Në këtë raport, kriza e Nëntorit e cila u zhvillua pas njoftimit të Qeverisë së Kosovës se do të nisë me shqiptimin e gjobave ndaj shoferëve që vozisin vetura me targa ilegale, si më të rëndën në Kosovë për më shumë se një dekadë.
Raporti në fjalë është dorëzuar në përputhje me rezolutën 1244 (1999) të Këshillit të Sigurimit, me të cilën Këshilli themeloi Misionin e Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) dhe i kërkoi Sekretarit të Përgjithshëm të raportojë në intervale të rregullta për zbatimin e mandatit të tij. Raporti mbulon aktivitetet e UNMIK-ut dhe zhvillimet në lidhje me to, nga 16 shtatori 2022 deri më 18 mars 2023.
Ky raport është i bazuar në raportin e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm mbi aktivitetet e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë nga 16 shtatori 2022 deri më 15 mars 2023.
“Gjatë periudhës raportuese gjendja e sigurisë në veri të Kosovës është përkeqësuar; përkeqësimi filloi në fillim të nëntorit me dorëheqjen masive të pothuajse të gjithë serbëve të Kosovës nga policia, gjyqësori dhe administrata publike (përfshirë zyrtarët e zgjedhur) në katër komunat në veri të lumit Ibër dhe kulmoi në një përleshje të armatosur tre-javore me barrikada të ngritura në lokacione të shumta. Kjo ishte kriza më e rëndë e këtij lloji në Kosovë për më shumë se një dekadë”.
Tutje, në raport shkruan se situata e shtyu Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë që të përforcojë përkohësisht njësinë e saj të rregullt policore duke vendosur një njësi policore të formuar rezervë dhe të rrisë patrullimin e saj zbulues në veri të Kosovës në koordinim me homologët e Kosovës dhe Forcën e Kosovës.
“Kështu, Misioni e rriti dukshëm praninë dhe dukshmërinë në veri të Kosovës. Në ndërkohë, Misioni vazhdoi të kryejë detyrat e tjera operative, veçanërisht në fushën e bashkëpunimit policor, mjekësisë ligjore dhe mbështetjes për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”.
Po ashtu, raporti tregon se Misioni vazhdoi monitorimin e rasteve dhe gjykimeve të përzgjedhura, me fokus të veçantë në zhvillimet që ndërlidhen me incidentet ndër-komunitare dhe të sigurisë në mbarë Kosovën.
“Misioni publikoi raportin e tij të tretë sistematik dhe tematik të monitorimit të drejtësisë, ndihmoi autoritetet e Kosovës në zhvillimin strategjik afatmesëm dhe organizoi disa seminare. Pas përkeqësimit progresiv në nëntor dhe dhjetor, Misioni rriti monitorimin e situatës së sigurisë dhe sundimit të ligjit në të gjitha aspektet e saj, me fokus në veri të Kosovës”.
Në fund të dhjetorit 2022, detyrat e Misionit në lidhje me Mbështetjen e Dialogut iu transferuan Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor./klankosova