Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në Klan Debat ka vlerësuar si të drejtë qëndrimin e Presidentit të Maqedonisë, Stevo Pendarovski, i cili në çdo takim të tij e përsërit faktin se dialogu Kosovë-Serbi është dialog mes dy shteteve sovrane. Osmani thotë se Kosova është realitet i pakthyeshëm dhe “e vërtetë që nuk mund ta mohojë askush”, përcjell Klan Macedonia.
“Presidenti mban qëndrim të drejtë, pra mban anën e dretjë të historisë, por në të njëjtën kohë, nëpërmjet këtij qëndrimi, ai e respekton qëndrimin e shtetit të Maqedonisë së Veriut që e ka njohur Kosovën dhe ka vendosur marrëdhënie diplomatike me Kosovën para shumë vitesh, së shpejti do të bëhen 15 vite dhe tregon se po kontribuon përmes këtij qëndrimi të drejtë për paqen dhe stabilitetin afatgjatë në rajon. Në fakt, e vetmja që nuk e njeh këtë realitet është Serbia, por sa më parë që ta bëjë, aq më mirë do të jetë për vetë Serbinë, por edhe për të gjithë ne të tjerët që jetojë në këtë rajon”, deklaroi në Klan Debat, Vjosa Osmani./KlanMacedonia