Universiteti i Tetovës hap dyert për maturantët

MË SHUMË SE 2,000 STUDENTË PRITET TË REGJISTROHEN NË CIKLIN E PARË TË STUDIMEVE

Në UT sot ditë e hapur për të gjithë maturantët e vendit.

Mejlan Selmani, maturante në paralelet shqipe të gjimnazit të Velesit, kishte ardhur në këtë ditë të hapur të UT-së që të informohet më shumë për drejtimin që ajo kishte zgjedhur për të studiuar në këtë universitet.

“Sot janë ditë të hapura të UT-së dhe unë posaçërisht dua të informohem për drejtimin e mjekësisë, tani do të shkoj të vizitoj fakultetin e mjekësisë. Unë jam nga Velesi. “, tha Mejlan Selmani, maturante.

Në këndin për informim të fakultetit të sportit takuam edhe një maturant tjetër i cili informohej për mundësitë që ky fakultet ofron.

“Unë kam zgjedhur të regjistroj drejtimin e sportit sepse më pëlqen që të jem një sportist i suksesshëm në të ardhmen dhe ndoshta të bëhem një trajner i ndonjë klubi të futbollit”, tha Besir Imeri, maturant.

Rektori i UT-së Kushtrim Ahmeti tha se vitin e kaluar kishin rritje prej 35% të numrit të studentëve dhe sipas pritshmërive këtë vit do të regjistrojnë më shumë se vitin e kaluar pasi interesimi nga ana e maturantëve është më i lartë.

“Prezenca e vetë maturantëve sot e tregon interesimin i cili është për programet studimore të UT-së dhe gjithsesi pritshmëritë janë që të kemi rritje, nëse vitin e kaluar kemi pasur diku 35 % rritje të numrit të studentëve besojmë që këtë vit do i tejkalojmë këto pritshmëri”, tha Kushtrim Ahmeti, rektor i UT-së.

Ketë vit akademik Universiteti i Tetovës ofron 92 programe studimore në ciklin e parë dhe 106 programe në ciklin e dytë të studimeve, dhe pritet të regjistrohen mbi 2,000 studentë në vitin e parë dhe mbi 500 student në ciklin e dytë studimor në vitin akademik 2023-2024./KlanMacedonia/

Përgatiti: Avni Tahiri

Lexo gjithashtu
Total
0
Share