Ndryshimet Kushtetuese: Nis punën Grupi i punës

CACA NIKOLLOVSKA U ZGJODH KRYETARE E GRUPIT PUNUES, BAJRAM POLLOZHANI – NËNKRYETAR

Anëtarët e grupit punues që duhet të përgatisë propozim iniciativën për nevojën e ndryshimeve kushtetuese, në seancën e parë konstituive të mbajtur sot, sic njofton KlanM, zgjodhën unanimisht ish gjykatësen në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, Margarita Caca Nikollovksa, për kryetare të grupit, ndërsa Bajram Pollozhani, ish-gjykatës në Gjykatën Kushtetuese dhe profesor i së drejtës kushtetuese, u zgjodh për nënkryetar.

Edhe pse mbledhjet e këtij organi zhvillohen pas dyerve të mbyllura, autoritetet sigurojnë se do të jetë transparente, përcjell KlanM.

Kryeministri, Dimitar Kovaçevski, tha sot se, ministri i Drejtësisë do të informojë rregullisht rreth asaj se si funksionon grupi punues.

“Qeveria në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë formoi grup punues, i cili duhet ta përgatisë tekstin e propozim amendamenteve. Ato do të punojnë sipas të gjitha normave juridike. Sot fillojnë me punë, do të zgjidhet kryetari dhe forma tjetër e funksionimit të gjithë grupit punues. Normal se, ajo do të jetë transparente në pjesën se si punon, por nuk e di nëse prisni të ketë prezentë kamera derisa flasin?!”, tha Dimitar Kovaçevski.

Ndërkaq, pritjet e presidentit, Stevo Pendarovski janë se, anëtarët nuk do të kenë shumë punë, pasi ata veç më e dinë se, cili është obligimi i tyre dhe çfarë duhet të zbatohet, njofton KlanM.

“Nuk e di sa seanca do t’u duhen, por është fakt se është mirë që ka filluar ajo procedurë dhe është mirë që do të zhvillohet para syve të opinionit. Do të thotë, këtu nuk ka asnjë agjendë të fshehtë dhe askush të mos frikësohet se mund të bëhet diçka jashtë asaj që është vendosur në preambulën dhe në pjesën normative të Kushtetutës për gjithë bashkësitë e tjera etnike. Kuptohet, nuk do të ketë dallim për bullgarët”, tha Stevo Pendarovski.

Grupi punues, siç njofton KlanM, ka 23 anëtarë, nga të cilët 10 janë nga radhët e ekspertëve, 10 janë propozime të partive politike dhe 3 anëtarë janë nga institucione, përkatësisht nga kabineti i presidentit të Maqedonisë së Veriut, Ministrisë së Jashtme dhe Sekretariatit për Çështje Evropiane.

Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga dhe zëvendësministrja e Drejtësisë, Viktorija Avramovska Madiq, gjatë kësaj seance, porositën se ky është një shans historik për të arritur qëllimin tonë strategjik, anëtarësimin në BE./KlanMacedonia/

 

Lexo gjithashtu
Total
0
Share