“Beogradi shkeli Marrëveshjen e Ohrit”
Ndonëse Marrëveshja e Ohrit parasheh që Serbia të mos lobojë kundër aplikimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, ministri serb i Punëve të Jashtme Ivica Daçiç ka kërcënuar Malin e Zi pasi votoi pro aplikimit të Kosovës për pranim në Këshillin e Evropës të hënën.
Ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiç, ka thënë të martën se tani Mali i Zi nuk mund të llogarisë në votat e Serbisë kur do t’i duhen.
Pikërisht për Marrëveshjen e Ohrit përplasje të ashpra ditëve të fundit ka ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe. Të dyja palët vazhdimisht po akuzojnë njëra-tjetrën për moszbatimin e saj.
Është shefi i kabientit të Presidentes Vjosa Osmani, Blerim Vela që ka përmendur marrëveshjen për njohjen e diplomave që Kosova e ka zbatuar por jo edhe Serbia.
Shembulli konkret nga Vela erdhi pasi Presidentja Osmani kishte akuzuar Serbinë që brenda 24 orësh ka shkelur dy herë Marrëveshjen e Ohrit duke ndërhyrë në zgjedhjet në Kosovë si dhe duke lobuar kundër aplikimit të Kosovës në KiE.
Nu mungoi reagimi i kryenegociatorit serb Petar Petkoviç. Petkoviçi, i cili ka thënë se kur Osmani përmend shkeljet e Marrëveshjes së Ohrit, me gjasë i referohet asociacionit të komunave serbe.
Për situatën aktuale në Kosovë është diskutuar edhe në një takim të qeverisë së Serbisë me Presidentin serb Aleksandër Vuçiç dhe Kryeministres Ana Brnabiç.
Takimi i nivelit të lartës ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe do të mbahet më 2 Maj në Bruksel.
Tv Klan