Zgjedhjet e parakohshme lokale në veri të Kosovës, pjesëmarrje e ulët në votime

Në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq, mbahen sot zgjedhjet e parakohshme lokale. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se të 19 qendrat e votimit, shumica në kontejnerë, në pjesën veriore të Kosovës janë hapur. Policia e Kosovës tha se ka marrë të gjitha masat për një mjedis të sigurt gjatë procesit zgjedhor.

Radio Evropa e Lirë raporton për pjesëmarrje të ulët në votime. Në një qendër votimi në Zveçan ka votuar deri më tani kandidatja për kryetare e kësaj komune, Sllagjana Pantoviç. E njëjta situatë raportohet të jetë edhe në komunat e tjera, në Mitrovicën e Veriut, Zubin Potok dhe Leposaviq. Sipas korrespondentëve të REL, votues ka vetëm në ato lagje ku jeton komuniteti shqiptar.

Në garë janë dhjetë kandidatë, prej të cilëve vetëm një nga komuniteti serb. Ajo është Sllagjana Pantoviç, kandidate e pavarur për kryetare të Komunës së Zveçanit.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, nuk merr pjesë në zgjedhje dhe u bëri thirrje qytetarëve serbë që ta bojkotojnë procesin. Thirrje të ngjashme bëri edhe Beogradi zyrtar.

Komunat në veri mbetën pa kryetarë nga Nëntori i vitit të kaluar, kur përfaqësuesit serbë në atë zonë dhanë dorëheqje nga vendet e tyre të punës, për shkak të mospajtimit me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentja Vjosa Osmani, u kanë bërë thirrje qytetarëve me të drejtë vote në veri, të votojnë në zgjedhjet e 23 prillit. Ata kanë akuzuar Beogradin për frikësimin e qytetarëve në këtë zonë.

“Dua t’ju siguroj se të gjitha institucionet e Kosovës po bëjnë gjithçka për të siguruar që këto zgjedhje të jenë të lira dhe të ndershme dhe që siguria juaj të jetë e garantuar”, ka thënë Osmani.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka vlerësuar se në zgjedhje nuk do të marrin pjesë më shumë se “100 serbë”.

Ai ka thënë se askush nuk do të dalë “në kontejnerët e policisë” për të votuar.

Komuniteti ndërkombëtar ka shprehur keqardhje që partia udhëheqëse e serbëve të Kosovës, Lista Serbe, nuk merr pjesë në zgjedhje dhe u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të ushtrojnë përmbajtje./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share