“Ngrirja e çmimeve”: Paralajmërohen masa për kompanitë që nuk kanë respektuar vendimin

BEKTESHI: JAVËN E ARDHSHME DO TË PUBLIKOHEN KOMPANITË QË KANË SHKELUR MASAT

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi paralajmëroi sot se, nga java e ardhshme do të ketë masa për kompanitë të cilat nuk kanë respektuar vendimin e Qeverisë për ngrirje të çmimeve të perimeve dhe pemëve, njofton KlanM.

Edhe përskaj insistimit të gazetarëve, Bekteshi në konferencën e sotme nuk zbuloi detaje se për cilat kompani konrektisht bëhet fjalë, duke thënë vetëm se 95 përqind prej tyre janë kompani që kanë importuar produkte bujqësore.

“Për këto kompani, kam thënë edhe më herët, të presim deri në fillim të javës së ardhshme dhe e dini se unë kur them se do t’i publikojë, unë do ta bëjë atë. Nëse ka nevojë unë personalisht si ministër do t’i publikojë. Nuk bëhet fjalë për mijëra bujq në shtetin tonë, por për dhjetëra kompani të cilët në vitet e fundit kanë importuar produkte bujqësore, ata kanë mbuluar mbi 80 përqind të tregut dhe nëse mbyllen ata, nuk do të jetë dëm i madh për shtetin”, tha  Ministri i Ekonomisë , Kreshnik Bekteshi.

Në lidhje me informatat se një pjesë e kompanive kanë dorëzuar fatura të rrejshme gjatë importit, siç njofton KlanM, ai tha se sipas informatave të fundit që posedon, fatura i kanë dorëzuar nga Dogana te kolegët e tyre në vendit prej nga vijnë produktet bujqësore.

“Do ta kontrolloj me kabinetin si e kam agjendën dhe nëse duhet do t’ju informojë në mënyrë shtesë. Sepse, për të qenë i sinqertë, nuk e di agjendën për të shtunën”,tha Kreshnik Bekteshi.

Ministri Bekteshi në konferencën e sotme për media prezantoi katër masat për promovimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe nxitjen e efikasitetit energjetik në amvisëritë, për të cilat janë publikuar shpallje publike.

Në kuadër të këtij programi, siç njofton KlanM, qytetarëve do t’u ndahen subvencione për kompensimin e një pjese të shpenzimeve për blerjen dhe montimin e dritareve PVC ose të aluminit, për kompensimin e një pjese të shpenzimeve për blerjen e sistemeve kolektore termike diellore, si dhe për blerjen dhe instalimin e elektrocentralit fotovoltaik për prodhimin e energjisë elektrike deri në 6 kW për konsum vetanak për amvisëritë, në ndërtesë në të cilën ka të drejtë pronësie ose përdorimi.

Gjithashtu, Ministria e Ekonomisë, përpiloi Program për nxitjen e sigurisë në furnizimin me gaz natyror në amvisëritë për vitin 2023./KlanMacedonia/

Përgatiti: Teuta Buçi

Lexo gjithashtu
Total
0
Share