E dënojmë ashpër incidentin me videon nga spitali i Tetovës. Pacientet e incizuara janë nëna të dikujt, bashkëshorte, vajza, njerëz me emocione të cilat pa qenë aspak fajtore u është cenuar privatësia. Kështu e filloi reagimin e tij para mediave, ish drejtori i Spitalit të Tetovës, Amir Elezi i Alternativës.
Nga kjo parti akuzojnë Aleancën për Shqiptarët për paaftësi, duke e cilësuar rastin si degradim të paprecedentë të shëndetit publik, përcjell Klan Maqedoni.
“Degradim i këtillë i shëndetit publik është i paprecedentë. Ne jemi të sigurt se kjo është rezultat i paaftësisë së Aleancës për Shqiptarët për të trajtuar dobësitë sistematike në resorët që cilat i kërkuan dhe i morën. Asnjë justifikim nuk mban! Për të qenë skandali edhe më i madh, mjeku që e ka regjistruar videon është fotografuar me ministrin e Shëndetësisë gjatë vizitës së tij në spitalin e Tetovës. I buzëqeshur dhe i lumtur. Me veshje civile, gjë që tregon se mund edhe mos të ketë qenë, por ka ardhur enkas për ministrin”, tha Amir Elezi, ish drejtor i Spitalit të Tetovës.
Elezi kërkon që Ministria e shëndetësisëe të marrë masa urgjente, duke kërkuar edhe shkarkimin e drejtorit të spitalit, Pëllumb Vela.
“Politika është profesion serioz dhe nuk është për secilin. Ju nuk e meritoni këtë lloj qeverie të papërgjegjshme. Z. Taravari nuk është i djeshëm që të mos e dijë se çfarë është përgjegjësia politike dhe morale. Ka qenë ministër i Shëndetësisë, punon mjek në Qendrën Klinike dhe duhet ta dinte paraprakisht se çfarë do të thotë të menaxhosh resorët me të cilët e kushtëzuan hyrjen e Aleancës në Qeveri. Prandaj, nuk mjafton raportimi i rastit në MPB. Për skandale të tilla, të cilat janë përtej çdo standardi etik për profesionin e mjekësisë, përgjegjësia politike është e patjetërsueshme. Më e pakta që mund ta bëjë Ministri i Shëndetësisë është menjëherë ta shkarkojë drejtorin e spitalit të Tetovës. Kërkojmë llogari tani dhe menjëherë”, deklaroi Elezi.
Alternativa, sipas Elezit, nuk do të heshtë para këtyre skandaleve, por do t’i shfrytëzojë të gjithë mekanizmat që ta mbrojë dinjitetin dhe moralin e pacienteve në cilindo institucion shëndetësor./KlanMacedonia