S`ka mjete për dy përkthyese të gjuhës së shenjave

MSH: KONTRATAT NUK JANË VAZHDUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE

Personat me pengesa në dëgjim dhe në të folurit ndjehen të diskriminuar për shkak se nuk mund të kuptohen me institucione shëndetësore. Nuk ka mjete për përkthyese të gjuhës së shenjave. MSH-ja thotë se Kontratat nuk janë vazhduar nga Ministria e Financave.

Hristina komunikon në gjuhën e shenjave.

Edhe bashkëshorti i saj Stefani është shurdhmemec. E sot u desht t’i dërgojnë fëmijët e tyre në kontroll në spitalin e fëmijëve në Kozle, por për t`i kuptuar në sportel, Hristina dhe Stefani duhej që t`i shoqërojë edhe Jelena e cila është e punësuar si përkthyese në Ministrinë e Shëndetësisë.

“Kur shkoj me përkthyes nuk e kam të vështirë, përkthyesit me flasin me gjuhen tonë të shenjave, në sportel për çdo pyetje përkthyesi është me ne, por pa përkthyes nuk mund ta imagjinoj se si do të funksionoja, shumë e vështirë, tani për shembull në cilën mënyrë do të me kuptojnë se perse kam ardhur” – tha Hristina Bozhinovska Gikova, shurdhmemece.

Pyetem edhe një të punësuar në sportel se si do të kuptoheshin me Hristinën dhe Stefanin po të mos ishte përkthyesja aty.

Po, po na e lehtësoj punën përkthyesi,

E kur vinë pa përkthyes si ia bëni?

Po ka shumë raste që vinë ashtu pacientë por mundohemi me mimikat tona që t’i udhëzojmë ku do të kontrollohen,

Shkruani letra?

”Me anë të duarve, dhe është e vështirë” – tha Abdullah Iseni, i punësuar në sportel në ISHP”

Gjëja që më shumë i shqetëson tani Hristinën dhe Stefanin është se përkthyeses Jelena nuk dihet nëse do t’i vazhdohet kontrata në Ministri të Shëndetësisë apo do të largohet pasi ditë më parë është larguar nga puna një kolege e saj e cila ka qenë po ashtu përkthyese për personat me pengesa në dëgjim dhe të folurit edhe pse përkthyesit e tillë janë deficitar në vendin tonë. Ndërsa kontrata e Jelenes është deri në muajin qershore.

“Tani për momenti jam e vetme ende nuk e dimë si do të funksionojmë me një përkthyes pasi marrëveshja iu ndërpre koleges tjetër.” – tha Jelena Milosavljeviq, përkthyese e gjuhës së shenjave.

Kërkuam përgjigje nga ministria e shëndetësisë lidhur me ndërprerjen e kontratës se koleges se Jelenes dhe nëse do t`i vazhdohet kontrata pas muajit qershor Jelenes dhe morëm këtë përgjigje.

“Në lidhje me marrëveshjet e dy përkthyesve të gjuhës së shenjave, ato nuk janë vazhduar nga Ministria e Financave për vitin 2023. Kontratat janë bërë nga kabineti  i Ministrit, më saktë sekretari teknik. Një marrëveshje përfundoi në mars dhe një qëndron deri në fund të qershorit dhe ne nuk do të jemi në gjendje ta vazhdojmë atë pas qershorit. Le t’i drejtohen Lidhjes Kombëtare të të Shurdhërve të Republikës së Maqedonisë së Veriut” – thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Mesazhi i Hristines dhe Stefanit para se të përshëndeteshin me ekipin e TV Klan M ishte: Institucionet duhet të kuptojnë se gjuha që flitet është e njëjtë me gjuhën tonë të shenjave, ashtu siç ekzistojnë gjuhët tjera ashtu ekziston edhe gjuha jonë e shenjave dhe si e tillë duhet të na pranojnë të gjithë dhe të mos jemi pre e diskriminimit. /KlanMacedonia/

Përgatiti: Avni Tahiri

Lexo gjithashtu
Total
0
Share