Video e tmerrshme qarkullon në rrjet, ushtarit ukrainas i pritet koka? – Ukraina nis hetimet, Kremlini kërkon verifikimin e pamjeve

Ukraina nisi një hetim të mërkurën për një video të tmerrshme që supozohet se tregon prerjen e kokës së një ushtari ukrainas, përcjell Klan Macedonia. Autoritetet ukrainase akuzojnë për raste mizore të kryera nga Rusia që kur nisi pushtimin në Ukrainë.

Videoja u përhap shpejt në internet dhe ngjalli zemërim të thellë tek zyrtarët në Kiev, përfshirë presidentin Volodymyr Zelensky, si dhe organizatat ndërkombëtare, ndërkaq Kremlini i quajti pamjet “të tmerrshme”, por tha se duhej verifikuar.

Ndërkohë, një zyrtar rus i mbrojtjes pohoi se luftëtarët nga grupi paraushtarak rus Wagner kanë rrethuar tre distrikte të Bakhmutit, qyteti i sulmuar që prej muajsh ka qenë në qendër të fushatës së Moskës në lindje.

“Videoja që qarkullon në internet duket se tregon një burrë të veshur në të gjelbër me një shirit të verdhë, të veshur zakonisht nga luftëtarët ukrainas. Britmat e tij dëgjohen përpara se një burrë tjetër i kamufluar të përdorë një thikë për t’i prerë kokën. Një burrë i tretë mban në dorë një xhaketë që me sa duket i përket njeriut që po i prehet koka. Të tre burrat flasin rusisht”, shkruan AP.

Videon nuk mund ta publikojmë për shkak të pamjeve të ndjeshme!

Ukraina e ka akuzuar vazhdimisht Rusinë për shënjestrimin e ndërtesave të banimit dhe strukturave dhe pajisjeve të tjera civile në sulmet e saj si dhe për imazhet e qindra civilëve të vdekur në rrugë dhe në varrezat masive në Bucha pasi forcat ruse u tërhoqën nga qyteti, pamje këto që kanë tmerruar botën.

Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar një urdhër arresti për presidentin rus Vladimir Putin për krime lufte, duke e akuzuar atë për përgjegjësi personale për rrëmbimet e fëmijëve nga Ukraina.

Kremlini mohon se ka kryer krime lufte ose se ka shënjestruar civilët, përcjell Klan Macedonia.

Zelenksyy tha se dhuna në videon e fundit nuk do të harrohet dhe se forcat ruse do të mbahen përgjegjëse.

“Të gjithë duhet të reagojnë, çdo lider. Mos prisni që do të harrohet me kalimin e kohës”, tha ai në një video./KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share