Kina ka regjistruar vdekjen e parë në botë si pasojë e gripit të shpendëve H3N8, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), përcjell Klan Macedonia.
Është fataliteti i parë i njohur njerëzor nga lloji i gripit të shpendëve. Asnjë rast njerëzor nuk ishte raportuar deri në prill dhe maj të vitit 2022, kur u shfaqën dy raste jo fatale.
Vdekja e parë e njohur ishte një grua 56-vjeçare nga provinca Guangdong në Kinën juglindore, raporton media britanike.
Ajo u shtrua në spital me pneumoni të rëndë më 3 mars pasi u sëmur më 22 shkurt dhe vdiq gati dy javë më vonë më 16 mars, thotë OBSH.
“Pacientja kishte një histori ekspozimi ndaj shpendëve të gjalla përpara fillimit të sëmundjes dhe një histori të pranisë së shpendëve të egër rreth shtëpisë së saj”, thanë nga Agjencia Shëndetësore e OKB-së.
“Asnjë kontakt i afërt i rastit nuk ka zhvilluar një infeksion ose simptoma të sëmundjes në kohën e raportimit”, thuhet më tej në deklaratë.
Ende nuk dihet saktësisht se cili është burimi i këtij infeksioni dhe se si ky virus lidhet me viruset tjera të gripit të shpendëve që qarkullojnë tek kafshët, ndërsa dyshohet se mund të ketë qenë ekpsozimi ndaj një tregu të shpendëve të gjalla, si shkaktar i infeksionit./KlanMacedonia