Osmani nga Baku: Njerëzit duan zgjidhje për konfliktet, fjala është për ta

Kryesuesi i OSBE-së, Ministri Osmani, gjatë vizitës së tij në Azerbajxhan, e theksoi mbështetjen e tij dhe të Organizatës për zgjidhje paqësore, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme të mosmarrëveshjeve ndërmjet Azerbajxhanit dhe Armenisë.

Në takmin me Ministrin e Punëve të Jashtme të Azerbajxhanit, Xhejhun Bajramov, në Baku, siç thonë nga MPJ, Osmani ka shprehur mbështetjen për iniciativat që e lehtësojnë dialogun dhe i qetësojnë tensionet, duke përfshirë masat e ndërtimit të besimit që çojnë drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Osmani e ka siguruar ministrin azerbajxhanas se OSBE-ja do të ofrojë mbështetje në kërkimin e tyre për paqe të qëndrueshme duke vënë në dispozicion përvojën, ekspertizën dhe mjetet e nevojshme që i posedon Organizata rreth kësaj çështjeje.

“Njerëzit e vendit tuaj dhe të rajonit më gjerë e meritojnë këtë dhe jemi të gatshëm të vazhdojmë përpjekjet tona duke përdorur mekanizmat ekzistues të OSBE-së, si dhe përmes ideve dhe qasjeve të reja. Në fakt, motoja e kryesimit tonë është “Fjala është për njerëzit” dhe ne përpiqemi për zgjidhje paqësore, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme të mosmarrëveshjeve që prekin azerbajxhanasit dhe armenët”, tha Osmani në takim me Bajramovin.

Osmani ka ndarë përvojat e Maqedonisë së Veriut në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me fqinjët e saj përmes platformave shumëpalëshe, duke theksuar se përparimi mund të arrihet vetëm përmes negociatave, ndërtimit të besimit të ndërsjellë dhe vullnetit politik./KlanMacedonia

 

Lexo gjithashtu
Total
0
Share