Lista serbe takon intitucionet e Serbisë
Është hera e tretë që shtyhet mbledhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ku parashihej që të diskutohej për pikat e rendit të ditës ndërlidheshin me Zgjedhjet në veri.
Mësohet se anëtarët e KQZ-së kanë kërkuar më shumë informacione për vlerësimin e sigurisë së qendrave të votimit dhe se do të shqyrtojnë alternativa se ku do të vendosen qendrat e votimit në rast se organet e sigurisë e vlerësojnë të nevojshme.
Mbajtja e zgjedhjeve në veri është vënë në pikëpyetje në kohën kur edhe situata në veri është në tension pas djegjes së disa veturave me targa RKS si dhe plagosjes së një qytetari serb në atë pjesë.
Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu tha se u mbetet institucioneve të sigurisë që të vlerësojnë situatën, e më pas Qeveria do të marrë vendim.
“Sa i përket zgjedhjeve në veri, ne i bindemi kërkesave të KQZ dhe vendos në bazë të rekomandimeve të institucioneve të sigurisë. Në momenti që do të kemi informacione të tilla, atëherë do të japim qëndrimin tonë. Në momenti që institucione e sigurisë do të thonë që nuk duhet të mbahen zgjedhjet, atëherë Qeveria do të vendos”, tha Albulena Haxhiu.
Ajo komentoi edhe plagosjen e qytetarit serb në veri.
Derisa institucionet e Kosovës ende nuk kanë marrë një vendim pikërisht për këtë cështje Lista Serbe e cila ka refuzuar të marrë pjesë në zgjedhje do të diskutojë të enjten me krerët e institucioneve të Serbisë në një takim që do ta zhvillojnë në Rashkë.
Ata pritet të dalin me një qëndrim të përbashkët për këtë cështje ndërsa vet presidenti serb pati thënë se zgjedhjet në veri duhet të shtyhen në qershor.
Vendet anëtare të QUINT-it dhe zyra e BE-së në Kosovë i patën dhënë përkrahje Kosovës për organizimin e këtyre zgjedhjeve ndërsa kanë shprehur keqardhje që Lista Serbe nuk ka aplikuar për certifikim.
Zgjedhjet në veri i pati shtyrë presidentja Vjosa Osmani për datë 23 prill pas kërkesës së Bashkësisë Ndërkombëtare për tu gjendur një zgjidhje politike ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe.
Për Blerta Dalloshi Berisha