TË PREKURIT ME KËTË SËMUNDJE PARALAJMËROJNË PROTESTA
Institucionet shëndetësore ende nuk kanë kontaktuar kompaninë për prokurimin e ilaçit “Trikafta”, as nuk diskutohet për planin me të cilin do të marrin ilaçin të gjithë pacientët, tha sot Fiki Gaspar nga Shoqata e Fibrozës Cistike, njofton KlanM.
“Ndjejmë se vdekja e Bllagojçes bëri të mundur sjelljen e ilaçit për 12 pacientët më kritikë, por fatkeqësisht motivimi u ndal këtu. Ata që marrin ilaçin ndihen mirë. Dhe pas një muaji pas miratimit të ndryshimeve të Ligjit, të cilat gjoja ishin pengesë për miratimin e barit, ne nuk kemi bërë asnjë progres dhe kemi pritur dhe na është premtuar që në një kohë shumë të shkurtër të gjithë pacientët do ta kenë ilaçin trikafta” – tha Fiki Gaspar, shoqata ”Fibroza Cistike”.
“Ka pacientë që u përkeqësohet gjendja vazhdimisht, andaj sa më shpejt të zgjidhet ky problem për të gjithë pacientët aq më mirë, nuk duhet të lëmë të vdesë një pacient tjetër. Sa më shpejt të fillohet me terapinë, sidomos tek fëmijët, ka shumë më tepër progress” – tha Ivana Atanasovska, shoqata ”Fibroza Cistike”.
Në Klinikën e Fëmijëve dhe në Klinikën e Pulmologjisë, sic njofton KlanM, sot nisin ta marrin ilaçin 4 pacientë dhe në vend janë rreth 140 pacientë.
Pacientët me fibrozë cistike e kërkojnë këtë ilaç që prej vitit 2020, prej muajsh kanë apeluar dhe protestuar, duke kërkuar nga shteti që t’u sigurojë ilaçin “trikafta”, i cili përmirëson ndjeshëm shëndetin e tyre. /KlanMacedonia/
Përgatiti: Arbana Qerimi