Filiantropi miliarder George Soros është vënë sërish në qendër të teoricienëve konspirativë pas ndjekjes penale që nisi ndaj ish-Presidentit amerikan Donald Trump.
Liberali Soros ka qenë prej kohësh nën akuzë nga e djathta amerikane, sidomos kur në krye të Shtëpisë së Bardhë u ngjit republikani Donald Trump.
Ky i fundit dhe mbështetësit e tij e akuzojnë filantropin hebre me origjinë nga Hungaria, se ka ndikuar Prokurorin e Manhattanit për të ngritur akuza penale ndaj ish-Presidentit amerikan.
Edhe pse nuk paraqet prova të drejtpërdrejta, Trump thotë se prokurori është financuar nga miliarderi Soros.
Në vorbullën e këtij debati është përfshirë edhe miliarderi tjetër amerikan Elon Musk.
Ai ka bërë një koment në Twitter tek një artikull i gazetës amerikane New York Post. Kjo e fundit shkruante se nga viti 2021, djali i George Soros, Alexander Soros ka shkuar 21 herë në Shtëpinë e Bardhë që qeveriset nga administrata Biden. Ndërsa Musk komentoi se “mua asnjëherë nuk më kanë ftuar”.
Nuk është hera e parë që George Soros është shënjestër e teorive konspirative. Në mbarë botën ai është akuzuar se ka nxitur emigracionin, ka sponsorizuar grushte shteti si dhe protesta.
Por Elon Musk, në vazhdën e komenteve të tij së fundmi, ka shkruar në Twitter se në krye të punëve të kompanisë Soros është de facto një prej fëmijëve të George, duke mos dhënë emra. /tvklan.al