Javën e kaluar, shkencëtarët kanë filmuar një peshk teksa notonte në thellësinë prej më shumë se 8 km nën ujë, duke vendosur një rekord të ri.
I emërtuar “peshku kërmill”, ai u kap nga një kamerë në kanalin Izu-Ogasawara në jug-lindje të Japonisë.Peshku që kishte notuar më thellë ishte thuajse i njëjtë me këtë lloj, i emërtuar “Mariana”.
Pjesët më të thella të oqeaneve njihen si zona Hadal, e quajtur sipas perëndisë greke të botës së nëndheshme, Hades. Zona e Hadalit, e cila shtrihet nga 6 deri në 11 km është një zonë e frikshme, e karakterizuar nga errësira e plotë dhe temperaturat shumë të ulëta. Në 8 mijë metra nën ujë, presioni është 800 herë më i madh se në sipërfaqen e oqeanit.
Për një kohë të gjatë shkencëtarët besonin se jeta në thellësitë e oqeanit ishte e pamundur për shkak të këtyre kushteve armiqësore, por ky perceptim ndryshoi në mënyrë dramatike në vitin 1977, kur një ekip hulumtues amerikan hodhi një mjet me kamerë në Oqeanin Paqësor për të marrë imazhe nga kanalet hidrotermale, ku uji i detit takohet me magmën. Ata u habitën kur gjetën këto zona të thella të detit të mbushura me jetë.
Që nga viti 1977, shkencëtarët e detit kanë zbuluar deri në 600 specie të papara ndonjëherë rreth këtyre kanaleve, duke përfshirë një gastropod me luspa, një lloj kërmilli dhe një gaforre e re e quajtur ‘The Hoff’.
Shkencëtarët janë të intriguar nga këto zbulime dhe aftësia e specieve për të mbijetuar në presionet ekstreme, temperaturat e ftohta dhe ngjyrën e zezë të zonës hadal. Kur u zbulua peshku “Mariana” në këto thellësi, shkencëtarët bënë një krahasim për kushtet në të cilat ajo qenie e vogël jetonte, duke thënë se presioni në atë thellësi është ekuivalent me 100 elefantë mbi kokën e një njeriu.
Si mund të jetojnë krijesat në mjedise të tilla ekstreme?
Kafshët detare që jetojnë në zonën Hadal kanë organizmin të përshtatur për t’u mundësuar atyre t’i rezistojnë. Krijesa të tilla si krustacet gjigantë dhe peshku-kërmill Mariana kanë përqendrime të larta të molekulave organike të quajtura piezolite (emri vjen nga fjala greke “piezin” që do të thotë presion), të cilat ndalojnë membranat e tyre qelizore dhe proteinat të shtypen nën presion jashtëzakonisht të lartë.
Studimet tregojnë se sasia e molekulës së piezolitit rritet në organizmat e oqeanit në përputhje me thellësinë e habitatit të tyre.
Peshqit që jetojnë më afër sipërfaqes së oqeanit kanë një fshikëz noti, një organ i mbushur me gaz që i lejon ata të qëndrojnë të gjallë pa u zhytur ose dalë në sipërfaqe. Peshqit e detit të thellë si ‘kërmilli’ nuk kanë fshikëza noti, pasi ndryshimi i presionit midis zgavrës së mbushur me gaz dhe ujit që i shtyn nga jashtë do t’i çante ato.
Në oqeanin e thellë nuk ka rreze dielli direkte dhe për këtë arsye krijesat nuk mund të mbështeten në fotosintezën për ta kthyer energjinë e Diellit në sheqerna për t’i ushqyer ato. Në vend të kësaj ata përdorin kemosintezën për të krijuar sheqerna duke përdorur energjinë e çliruar nga reaksionet kimike që ndodhin rreth kanaleve hidrotermale në fundin e oqeanit. “Ata jetojnë nga kimikatet që dalin nga fundi i detit,” thotë një studiues.
Peshqit e detit të thellë janë përshtatur gjithashtu për të mbijetuar në një mjedis me oksigjen të ulët. Për shembull, disa peshq kanë qeliza të kuqe të gjakut më të mëdha që prodhojnë përqendrime më të larta të hemoglobinës, proteina që mbart oksigjen në të gjithë trupin, sesa peshqit që notojnë afër sipërfaqes.
Të gjitha këto përshtatje i lejojnë këto krijesa të ‘lulëzojnë’ në humnerën e errët të oqeanit të thellë, në një nga mjediset më të ashpra në planetin tonë./tvklan.al