Ish-Presidenti amerikan Donald Trump është zyrtarisht i arrestuar pasi ka mbërritur në zyrën e prokurorit të Manhattanit. Trumpit i janë marrë shenjat e gishtave për çështjen penale për të cilën akuzohet.
Por, Donald Trump nuk do të vihet nën pranga dhe do të gjykohet në gjendje të lirë. Kjo për shkak se duke qenë ish-President, Trump mbahet ende në ruajtje nga Shërbimi Sekret dhe nuk ka gjasa që të arratiset apo të përpiqet që të dëmtojë hetimet ndaj tij.
Ai do të dalë në sallën e gjyqit, ku dhe do të njihet zyrtarisht me akuzat ndaj tij. Por gjykatësi nuk ka lejuar që në sallën e gjyqit të jenë të pranishme mediat dhe raportohet se nuk do të ketë asnjë fotografim të tij.
Para gjykatësit, Trump pritet të deklarohet i pafajshëm. Dalja para gjykatës do të jetë procedurë formale dhe e shpejtë. Më pas, pritet që ish-Presidenti të largohet në rezidencën e tij në Mar a Lago.
Donald Trump do të mbahet vazhdimisht nën mbrojtjen e policisë.
Ish-Presidenti akuzohet për mosdeklarimin e pagesës prej 130 mijë Dollarësh të bërë në vitin 2016 për aktoren e filmave për të rritur Stormy Daniels, në këmbim të aferës seksuale që Trump dyshohet se ka pasur me të në 2006-n.
Donald Trump është i pari President amerikan që përballet me akuza penale.
Teksa ishte rrugës për në gjykatën e Manhattanit, Donald Trump shkroi në rrjetin e tij social “Truth Social”: “Duket kaq sureale, ata do të më arrestojnë. Nuk më bësohet që kjo po ndodh në Amerikë”.
/tvklan.al