“Spiunët rusë”, Gjykata e Elbasanit vendos më 14 Prill për ekstradimin e Svetlana Timofeeva

Vendimi për ekstradimin e shtetases ruse Svetlana Timofeeva drejt Rusisë do të jepet më datë 14 Prill.

Korrespondenti i Klan News, Fatos Salliu raporton se Gjykata e Elbasanit ka dëgjuar sot palët për ekstradimin ose jo të shtetases ruse. Vetë ajo nuk ka pranuar që të ekstradohet.

Autoritetet ruse kanë kërkuar lejimin e ekstradimit të saj, por situata e përfshirjes së Rusisë në luftë pamundëson ekstradimin e saj drejt Rusisë. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan i kërkon Gjykatës që të mos lejohet ekstradimi i shtetases ruse drejt Rusisë e ndërsa shtoi se aktualisht ka edhe një procedimin penal ndaj saj në Republikën e Shqipërisë për të cilën është dhënë masa e sigurisë “arrest me burg”.

Avokatët e cilësuan kërkesën e prokurorisë për mospranimin e ekstradimit të shtetases ruse drejt Rusisë një kërkesë të ligjshme. Sipas tyre, moslejimi i ekstradimit të saj është i bazuar në Konventën Europiane për të Drejtat e Lirive Themelore të Njeriut.

Sakaq vetë shtetasja ruse deklaroi në seancën e sotme se kërkesa e Federatës Ruse duhet të rrëzohet dhe se ajo ka kërkuar azil në Shqipëri.

“Jam dakord me që kërkesa e Federatës Ruse duhet rrëzuar. Kam bërë kërkesë si azilkërkuese në Shqipëri dhe është duke u shqyrtuar. Jam dakord të qëndroj në Shqipëri e mos të dërgohem në Federatën Ruse”, tha ajo në gjykatë.

Në fund, gjykatësi Elis Dine deklaroi se vendimi nuk do të shpallet sot për shkak të kompleksitetit të çështjes, por dhe faktit se shtetasja ruse e kishte të paqartë shikimin pasi i ishin dëmtuar syzet e nuk kishte mundur t’i ndërronte. Në seancën e sotme u vu re mungesa e përfaqësuesve të ambasadës ruse.

Kujtojmë se Mikhael Zarin 24 vjeç Svetlana Timofeeva 33 vjeçe të dy nga Rusia dhe Fiodor Mihailoviç nga Ukraina, u ndaluan më 20 Gusht 2022 pasi sulmuan me spraj neuroparalizues ushtarakët Ardian Xhaka dhe Aldi Bici, roje të Uzinës Ushtarake të Çekinit në Gramsh ku ata po filmonin pa leje./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share