Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ishte në Tropojë këtë të martë ku prezantoi kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për zgjedhjet e 14 Majit. Berisha nuk la pas akuzat për kryeministrin Edi Rama, për të cilin thotë se vrapon nga samiti në samit si avokat i Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Berisha shtoi se Rama është antishqiptar dhe gjatë këtyre dy ditëve ka derdhur lot për luftëtarët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë, por nga ana tjetër nuk ka lejuar votimin në parlament të dënimit të genocidit serb në Kosovë.
“Ky regjim është njëkohësisht një regjim fund e krye antishqiptar. Sot, shqiptarët kanë një kryeministër vegël e shpifur e Aleksandër Vuçiçit. Kryeministri i Shqipërisë që i shërben Rexh Byberi, vrapon nga samiti në samit si avokat i Vuçiçit. Vrapon nga samiti në samit duke kërkuar të mos i imponohet Serbisë që të respektojë sanksionet ndaj Putinit, duke kërkuar që Serbia të mbetet një Rusi e vogël. A mundet një shqiptar të marrë përsipër këtë rol tradhtari që merr Edi Rama? A mundet një malësor t’i shërbejë Edi Ramës, njësoj si t’i shërbejë armiqve të kombit. Zgjedhjet më 14 maj janë për fatin e Shqipërisë. Edi Rama është një armik i shqiptarëve, një armik i Kosovës. Këto dy ditë derdhte lot për luftëtarët që gjykohen në Hagë, por në të njëjtën ditë nuk lejonte votimin në parlament të dënimit të gjenocidit serb në Kosovë. A mundet një shqiptar të mohojë gjenocidin ciklik serb në Kosovë? A mundet një shqiptar të mohojë gjenocidin e vitit 13 në Lumë, Has, Dibër, Tropojë, të certifikuar nga specialistë ndërkombëtarë të kohës? Ky është një antishqiptar që nuk e ka parë toka. Ndaj dhe Rexhë, çdo orë që nuk e dorëzon atë bashki, i shërben një armiku të egër të shqiptarëve”, tha Berisha.
Sa i përket zgjedhjeve, kreu i PD-së tha se kandidatët e lirisë kudo që shkojnë, përballen me “kandidatët e bodrumeve të mafias”.
“Këto janë zgjedhjet më të rëndësishme që kemi zhvilluar nga viti 1992 deri më sot. Këto janë zgjedhje në të cilat ne shkojmë si misionarë të vërtetë për të firmosur me votën tonë, përmbysjen e sistemit monist të vendosur pas 32 vitesh në Shqipëri. Monizmin e Edi Ramës, monizëm që bazohet te barbaritë e krimit, te vjedhja, droga, te gjenocidi i vërtetë ndaj shqiptarëve. Sot, pas 10 vitesh, shqiptarët ndodhen në kushtet në të cilat nuk kanë qenë kurrë në ekzistencën e tyre kombëtare. Kudo që shkojmë, përballen kandidatët e lirisë me kandidatët e bodrumeve të mafias”, tha Berisha./tvklan.al