Në Hagë ka nisur dita e dytë e gjykimit ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.
Avokat i Hashim Thaçit, Gregory Keohe, ka mohuar të gjitha pretendimet e djeshme nga Prokuroria Speciale në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjatë fjalës hyrëse, Keohe ka thënë që Hashim Thaçi nuk kishte asnjë motiv për të marrë pjesë në krime lufte.
“ZPS-ja dëshiron që ju të besoni se kishte një strukturë kriminale, komanduese me kontroll efektiv. Kjo është shumë larg së vërtetës dhe dëshirojmë të ofrojmë faktet e asaj që ndodhën në terren, duke filluar me prezentimin fillestar të Hashim Thaçit dhe rolin e tij gjatë viteve 98-99. Thaçi ishte një aktivist, student që u kthye në Kosovë në mars të vitit 98 menjëherë pas vrasjes së anëtarëve të familjes Jashari që është edhe pikënisja e kësaj periudhe që mbulohet nga kjo aktakuzë”.
“Motivi është shumë i rëndësishëm, prandaj edhe ne dëshirojmë të flasim për motivin në këtë çështje gjyqësore. Hashim Thaçi nuk kishte asnjë motiv që të merrte pjesë në krime si një prej udhëheqëse të UÇK-së, ai e dinte se suksesi i Lëvizjes Çlirimtare të Kosovës, varej nga mbështetja e vendeve perëndimore sidomos nga SHBA-të”, ka thënë Keohe.
Tutje Keohe tha se Thaçi e dinte se Kosova s’mund të arrinte pavarësinë pa ndihmën e SHBA-së.
“Në fillim të viteve 98-ta, SHBA-ja i ofron mbështetje UÇK-së sipas disa kushteve, asnjë sulm kundër civilëve, asnjë asistencë nga grupet islamike ose asnjë financim nga trafikimi i lëndëve narkotike të paligjshme dhe asnjë veprim jashtë territorit të Kosovës. Thaçi e dinte shumë mirë se Kosova s’mund të arrinte pavarësinë pa ndihmën e SHBA-së. Ai kishte motivimin për të mos u angazhuar në ndërmarrje të përbashkët kriminale të përshkruara në aktakuzë”, shtoi ai. /EO