Fevziu: Gjykimi nuk po zhvillohet ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ata po akuzohen në kuadrin e një strukture komandimi

Fevziu: UÇK nuk ka kryer krime lufte

Gazetari Blendi Fevziu është shprehur se gjykimi në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës nuk po zhvillohet ndaj 4 ish-liderëve të Kosovës, por ata po akuzohen në kuadrin e një strukture komandimi që quhet UÇK.

I ftuar në “Milori Live”, gazetari Fevziu shprehet si dëshmitar i asaj kohe se UÇK nuk ka kryer krime lufte.

Blendi Fevziu: Një pjesë të akuzës ne e dinim, që gjykimi nuk po zhvillohet ndaj 4 personave. Në momentet e para, ne na është thënë që këta persona kanë kryer krime lufte dhe askush nuk mund të mbrojë një njeri që kryen krime. Pas 2 vite e gjysmë që ata ndodhen në Hagë, për asnjërin prej tyre nuk ka akuzë personale, ata po akuzohen në kuadrin e një strukture komandimi që quhet UÇK.

Në gjykimin tim, si një dëshmitar i asaj kohe, UÇK nuk ka kryer krime lufte, nuk ka qenë një platformë me një ushtri kriminale, nuk është larguar dhe nuk ka hapur luftime asnjë milimetër larg kufijve të Kosovës të asaj kohe, nuk ka kryer akte terroriste dhe nuk ka qenë një ushtri që u ngrit të luftonte nga hiçi, por reagim i një populate të tërë që u detyrua të mbronte vetveten.

Civilët mbetën të pambrojtur kur policia dhe ushtria u bënë palë, elementi kryesor së bashku edhe me grupime paramilitarësh nga më bastardët që sulmuan shoqërinë civile. Kush do ta mbronte popullatën e Kosovës? UÇK dhe lufta e shqiptarëve në Kosovë është një nga momentet më të rëndësishme të shqiptarëve në shekuj.

Gazetari Fevziu ka dhënë edhe gjykimin e tij në lidhje me Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës.

Blendi Fevziu: Kjo nuk është gjykatë ndërkombëtare, por e Kosovës, e bërë me personel ndërkombëtar. Po të kishte qenë e varur nga OKB-ja do të kishte qenë më serioze dhe më e mbështetur mbi shinat e së drejtës ndërkombëtare. Kjo gjykatë që është e pakontrollueshme dhe nuk i jep llogari askujt. Liderët e Kosovës nuk ishin për këtë gjykatë, ata mendonin që EULEX i kishte bërë një sërë gjykimesh dhe kërkonin që Gjykata Ndërkombëtare për çdo rast që kishte konkret, të gjykonte Gjykata e Krimeve të Luftës në Jugosllavi. Perëndimi në atë kohë donte që të krijonte raporte të mira me Rusinë. Rusia insistoi në Këshillin e Evropës për raportin e Dick Martyt, etj për ngritjen e një gjykatë të posaçme për Kosovën, por me ndërkombëtarë. Ndërkohë, Perëndimi po përmirësonte marrëdhëniet me Serbinë./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share