36 VJEÇARI JAKOV MILATOVIQI KANDIDAT I LËVIZJES “EVROPA TANI”
Fundi i një epoke në Mal të Zi. Pas më shumë se 30 viteve në pushtet, Milo Gjukanoviqi humbi zgjedhjet. Fituesi i rrethit të dytë të zgjedhjeve presidenciale në Mal të Zi është 36-vjeçari Jakov Milatoviq, kandidati i Lëvizjes “Evropa Tani”.
Ish-ministri i Ekonomisë, Jakov Milatoviq, me thuajse 70.000 vota epërsi mposhti Milo Gjukanoviqin. Pjesëmarrja në votime arriti në 70.7 përqind.
“Sonte është nata që e kemi pritur më shumë se 30 vite” – tha në fjalimin e fitores, Presidenti i ri i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, duke shtuar se po I jepet lamtumira diktatorit të fundit në Evropë.
“Kjo është fitore e Malit të Zi të pajtuar. Mali I Zi sonte me vendosmëri I thotë lamtumirë regjimit të vjetëruar të Milo Gjukanoviqit dhe i tha “Po” Malit të Zi evropiane. Në pesë vitet e ardhshme, premtoj se do ta fusim Malin e Zi në BE, asnjëherë nuk do të luftojmë me fqinjtë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor. Duam Ballkan Perëndimor evropian” – tha Jakov Milatoviq, president i Malit të Zi.
“Mali i Zi bëri zgjedhjen e tij, unë e respektoj këtë verdikt të popullit” – tha Milo Gjukanoviqi duke uruar kundërkandidatin e tij.
“Mali i Zi zgjodhi. Unë nuk janë zgjedhja e tyre. Respektoj zgjedhjet. Presidentit i dëshiroj të jetë I suksesshëm, pasi në këtë mënyrë do të jetë edhe Mali i Zi. Falënderoj të gjithë që më besuat gjatë këtyre 30 viteve” – deklaroi Milo Gjukanoviq, ish-president i Malit të Zi.
Kryeministri malazez, Dritan Abazoviq, përmes Tuitterit ka komentuar rezultatin e zgjedhjeve.
“Uroj Jakov Milatoviqin si president të parë evropian në historinë e Malit të Zi. Misioni përfundoi. Mali i Zi ka të ardhme të ndritshme. Do të punojmë bashkë për shtet evropian, qytetar dhe ekologjik” – ka shkruar Dritan Abazoviqi duke publikuar edhe një video-xhirim nga festa e fitores në Podgoricë.
Jakov Milatoviqi ka studiuar ekonominë në SHBA. Në Evropë ka punuar në “Dojçe Bank” në Frankfurt dhe në Bankën Evropianë për Ripërtrirje në Londër. Vlerësohet si reformator. Ishte edhe Ministër i Ekonomisë kurse fitoi edhe në zgjedhjet për Kryebashkiak të Podgoricës. /KlanMacedonia/