Prokurorja Vilma Ruskovska ka komentuar vendimin e komisionit disiplinor në Prokurorinë Themelore, i cili ka rekomanduar që ajo të shkarkohet nga pozita e prokurores, përcjell KlanM.
Në një prononcim për “Makfax”, ish-kryetarja e Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit thotë se nuk e konsideron veten të mundur dhe ka shpallur luftë.
“Do të luftoj deri në fund me të gjitha mjetet”, ka thënë Ruskovska, duke shtuar se vendimi është marrë shumë kohë më parë, kur ajo ishte duke u marrë në pyetje në Prokurori.
“Duke mos pranuar dëshmitarët dhe provat e mia, e dija se cili ishte vendimi. E dija që ishte sjellë”, thotë prokurorja.
Ruskovska, siç përcjell Klan Maqedoni, hyri në konflikt me ish-drejtorin e Policisë Financiare, Arafat Muaremi, verën e kaluar, kur urdhëroi bastisjen e zyrave të Policisë Financiare. Muaremi ishte pjesë e një procedure para hetimore të Prokurorisë Publike për ndjekjen e krimit të organizuar pas kallëzimit penal të Prokurorisë së Shtetit për konfiskimin e pasurisë së biznesmenit Sead Koçan, por më pas Prokurorina për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, pretendoi se Kallëzimi penal është bërë nga një grup qytetarësh dhe ka të bëjë me diçka tjetër, por nuk kanë treguar se për çfarë.
Muaremi u ankua publikisht se ishte nën presion dhe se vendimi për kontrollin e ambienteve të Policisë Financiare ishte marrë me parregullsi. Kryeprokurori Ljubomir Joveski ka suspenduar Ruskovskën dhe dy kolegë të saj, ndërsa Muaremi ka dhënë dorëheqje nga pozita e drejtorit të Policisë Financiare menjëherë pas skandalit.
Ruskovska thotë se nuk e ka marrë vendimin dhe nuk mund të komentojë, por është e vendosur se nuk pendohet që nuk është pensionuar, gjë që do ta pengonte që të shkarkohej apo të dënohej në ndonjë mënyrë tjetër në procedurë disiplinore.
Ajo gjithashtu ka shtuar për “Makfax” se nuk mendon se rasti ndaj saj është urdhër politik, por “luftë mes ligjit, drejtësisë dhe padrejtësisë”.