Shqipëria i nis me humbje kualifikueset

Kombëtarja zhvilloi një ndeshje të mirë në Poloni ku meritonte më shumë

Shqipëria e Sylvinho-s e nisi me humbje fushatën kualifikuese të Euro 2024, por duke zhvilluar një lojë të mirë. Kombëtarja u mund me rezultatin 1 – 0 nga Polonia në takimin e zhvilluar të hënën në Varshavë.

Trajneri brazilian i kuqezinjve në të parën e tij me një formacion më sulmues pati edhe debutues si Jasir Asani dhe Anis Mehmeti. Polonia e filloi në sulm, por rasti i parë i vërtetë ishte në të 14’, një goditje nga larg e Zalewski që u prit nga Strakosha.

Futbollistët e Shqipërisë me kalimin e minutave iu afruan zonës polake, ndërsa në të 22’ Çikalleshi goditi portën kundërshtare, por Szczesny arriti ta grushtojë topin.

Në të 41’ polakët kaluan në avantazh me Swiderski, i cili depërtoi në prapavijën kuqezi që deri në atë moment ishte shfaqur e sigurtë. Futbollistët shqiptarë nuk u dorëzuan me këtë rezultat dhe patën rastet e tyre në pjesën e dytë.

Në të 58’, Uzuni dhe Asllani iu afruan golit, por Szczesny u shfaq i vëmendshëm duke ndalur goditjet e lojtarëve kuqezi. Mihaj shpëtoi Shqipërinë nga goli i dytë, duke mos lejuar Lewandowski të shënonte me portën e boshatisur.

Gjatë pjesës së dytë Sylvinho bëri disa ndryshime, ndërsa Uzuni mund të barazonte në minutat e fundit. Emocionet e sfidës Poloni – Shqipëri u përcollën nga TV Klan.

Grupi kryesohet nga Çekia me 4 pikë pas barazimit 0 – 0 në fushën e Moldavisë, kundërshtari i radhës i Kombëtares më 17 Qershor në Tiranë.

POLONIA: Szczęsny, Frankowski, Bednarek, Salamon, Kiwior, Kamiński, Linetty (Szymański), Zieliński, Zalewski (Skóraś), Świderski (Szymański), Lewandowski (C) / Trajner: Fernando Santos

SHQIPËRIA: Strakosha, Hysaj (C), Mihaj, Kumbulla, Balliu, Gjasula (Laçi), Ramadani, Asllani (Bajrami), Asani (Mehmeti), Uzuni, Çikalleshi (Seferi) / Trajner: Sylvinho

ARBITËR: Slavko Vinčić / Anësorë: Tomaž Klančnik dhe Andraž Kovačič

STADIUMI: PGE Narodowy, Varshavë

Lexo gjithashtu
Total
0
Share