Partitë politike, dyshime rreth numrave të nevojshëm
Sa më afër ndryshimeve kushtetuese aq më të shpeshta kanë filluar të jenë përplasjet dhe reagimet e partive politike. Partitë maqedone VMRO-LSDM kanë ashpërsuar retirikën rreth arritjes së shumicës së dy të tretave për ndryshimet kushtetuese. Të dyja palët hedhin dyshime rreth numrave të nevojshëm. Partia opozitare VMRO-DPMNE e cila shprehet hapur se nuk do votoj ndryshimet kushtetuese kërkon nga kryeministri Kovaçevski që të publikoj dokumentin se sa deputetë të LSDM-së nuk do të votojnë për amendamentet kushtetuese.
“Le ta mbyllim temën, le ta hedhin në votim dhe brenda një dite do të shihet gjithçka, kush ka deputetë dhe sa deputetë e mbështesin një ide të caktuar. Populli është i ngopur me trazira dhe marifetet e tyre dhe prandaj mendoj se duhet punë dhe zgjidhja e problemeve, jo shpikja dhe mashtrimi i opinionit”, tha Bojan Stojanovski nga VMRO-DPMNE.
Të njejtën pyetje parashtrojnë edhe nga partia në pushtet LSDM ndaj kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoskit nëse është në dijeni të numrit të deputetëve nga VMRO-DPMNE, të cilët pritet, sipas LSDM-së, ta mbështesin rrugën evropiane të vendit.
“Tani, kur vendi po hyn në një periudhë vendimtare për integrimet evropiane, Mickoski duhet të numërojë deputetët e VMRO-DPMNE-së të cilët janë të gatshëm të mbështesin amendamentet kushtetuese. Edhe Mickoski e di, sikurse edhe i gjithë opinioni, se në VMRO-DPMNE ka deputetë që mbështesin rrugën evropiane të shtetit, të cilët nuk pajtohen me qëndrimin antievropian të Mickoskit dhe janë të gatshëm të mbështesin të gjitha hapat”, thuhet në reagimin e LSDM-së.
Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme edhe Bashkimi Demokratik për Integrim i bën thirrje opozitës që t’i bashkohet përpjekjeve për një Maqedoni të Veriut europiane dhe vazhdimin e rrugës integruese si alternativa e vetme për vendin tonë./KlanMacedonia/