Abazoviç: Ndërprerja e mandatit të Parlamentit, u takon deputetëve jo presidentit

Në Mal të Zi kriza politike është thelluar së fundmi me një tjetër përplasje mes shumicës parlamentare dhe presidentit në detyrë Milo Gjukanoviç. Disa ditë para zgjedhjeve presidenciale, zoti Gjukanoviç, shpërndau parlamentin dhe shpalli e zgjedhjet e parakohshme më 11 Qershor, duke renditur si arsye, pamundësinë e shumicën aktuale, për të formuar një qeveri të re.

Gjatë një interviste për Zërin e Amerikës, Kryeministri Dritan Abazoviç, qeveria e të cilit u rrëzua me mocion mosbesimi në gusht të vitit të kaluar, thotë se vendimi për ndërprerjen e mandatit të parlamentit, i takon deputetëve dhe jo presidentit.

Ai thotë gjithashtu se nuk është kundër idesë së zgjedhjeve parlamentare, por çdo vendim sipas tij duhet marrë pas përfundimit të garës presidenciale dhe nga partitë politike.

Në bisedën me kolegen Menada Zaimi, zoti Abazoviç komenton ndër të tjera raportin e Departamentit amerikan të Shtetit mbi të Drejtat e Njeriut, që e konsideron korrupsionin, si një problem domethënës për Malin e Zi.

Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër, vendi juaj ndodhet prej disa muajsh në krizë politike. Aktualisht ju drejtoni një qeveri teknike. E megjithatë, kur u duk se u ofrua një mundësi për të dalë nga situata, me vendimin e Presidentit Gjukanoviç, për të shpërndarë parlamentin dhe shpallur zgjedhjet e parakohshme, ju u rreshtuat në krahun e atyre që e cilësuan këtë lëvizje si antikushtetuese. Madje ju keni bërë dhe përpjekje dhe për të riformatuar qeverinë, një qeveri e cila e humbi besimin pak muaj më parë. Pse?

Dritan Abazoviç: Sa i takon situatës në Mal të Zi, besoj se çdo gjë po shkon në drejtimin e duhur. E vërtetë është se qeveria është me mandat teknik, por gjatë këtij mandati, për të cilin kanë menduar se mund të jetë i shkurtër, dhe nuk ka ndodhur, janë sjellë shumë vendime në parlamentin e Malit të Zi, gjithashtu është sjellë edhe buxheti, si një vendim shumë i rendësishëm, dhe ajo ka treguar se ekziston një shumicë e cila e përkrah qeverinë, ajo është gjëja kryesore. Ne kemi patur probleme me Gjykatën Kushtetuese, kjo është çështje e cila ka qenë më e rëndësishmja. Tash dy vite apo tre vite nuk kemi pasur kuorum në Gjykatën Kushtetuese, por edhe kjo çështje është zgjidhur, më 28 shkurt ne e kemi bërë zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës. Ashtu sikurse në këtë moment e vetmja adresë që mund të thotë, nëse dikush ka shkelur ligjin apo është duke punuar jashtë kushtetute apo në bazë të kushtetutës është Gjykata Kushtetuese. Vendimi i Gjykanoviçit ka ardhur dy ditë përpara zgjedhjeve presidenciale. Ne kemi patur raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të dielën e kaluar, kemi raundin e dytë më dy prill dhe po ashtu edhe ajo gjë është në pikëpyetje sepse shkatërrimi apo shkëputja e mandatit të parlamentit duhet të jetë në duar të deputetëve, jo në duar të qeverisë, jo në duart e presidentit, për shkak se ne jemi demokraci parlamentare. E di se ka shumë keqkuptime, ndoshta dhe në organizatat ndërkombëtare dhe tek partnerët tanë po ne jemi shtet që në bazë të kushtetutës jemi vendosur si demokraci parlamentare, fuqia kryesore është në parlament.

Zëri i Amerikës: Që megjithatë po dështon ta zgjedhë qeverinë? Dhe po e bën përpjekjen bazuar në ndryshimet që i janë bërë ligjit të presidentit, që janë konsideruar si antikushtetuese, nga faktorë të brendshëm e të jashtëm.

Dritan Abazoviç: Ne nuk kemi ardhur ende tek ajo lloj qeverie, për të cilën flisni ju…

Zëri i Amerikës: Por keni bërë tentativa…

Dritan Abazoviç: Kemi pasur tentativa, por nuk kemi ardhur deri aty, pasi kemi pritur derisa të krijojmë Gjykatën Kushtetuese, pasi e kemi krijuar ajo është e vetmja adresë, që mund me thënë nëse është kushtetutuese ose jo. Roli i parlamentit në çdo shtet është të sjellë ligje. Roli i Gjykatës Kushtetuese është të bëjë kontrollin e tyre, kjo është diçka fare e thjeshtë unë nuk e di pse dikush thotë është jashtë kushtetute. Kush mund ta thotë?! Ne si politikanë mund të themi shumë gjëra, por ekziston institucioni i cili i sjell vendimet në atë drejtim. Pasi kemi bërë zgjedhjen e Gjykatës, unë mund t’u tregoj se çdo gjë ka shkuar në drejtimin e duhur. Kemi patur zgjedhjet presidenciale në një atmosferë e cila kurrë nuk ka ndodhur në Malin e Zi. Plotësisht e relaksuar, si në vendet perëndimore dhe tani do të kemi dhe raundin e dytë. Unë shpresoj se pas asaj do të kemi presidentin e ri të Malit të Zi dhe atëherë, me legjitimitet të plotë, mundet me sjellë vendime të cilat janë në bazë të detyrave të tij.

Zëri i Amerikës: Gjatë qëndrimit tuaj në Uashington ju jeni takuar me zyrtarë amerikanë, të cilët e kanë bërë të qartë se zgjedhjet e parakohshme do të ishin zgjidhja për krizën në Malin e Zi. Gjatë gjithë kësaj kohe, Uashingtoni i ka parë me shqetësim përpjekjet për të formuar një qeveri, bazuar në ligjin e ndryshuar për presidentin, që i hoqi kompetencat kreut të shtetit për të përcaktuar mandatarin. Po kështu Uashingtoni nuk mbështetet riformatimin e një qeverie që e ka humbur mandatin, duke nënkuptuar tuajën. Si i përgjigjeni ju këtyre shqetësimeve?

Dritan Abazoviç: Unë nuk di…ju jeni duke u munduar të tregoni se ne nuk e kemi mbështetjen e Uashingtonit, unë nuk e kam atë mendim. Kërkoj falje, por nuk e kam. Unë mendoj se ne kemi punuar shumë afër në çdo aspekt. Ai aspekt ka të bëje edhe me politikën e cila ka qenë ndaj Rusisë, politikën lidhur me ndihmën ndaj Ukrainës, politikën e NATO-s, kundër korrupsionit, krimit të organizuar, këto gjëra sikurse i keni thënë ju, unë si përjetoj ashtu, ai mund të jetë mendimi juaj personal apo mendimi i disa analistëve dhe politikanëve.

Zëri i Amerikës: Janë komente të ambasadës amerikane në Mal të Zi.

Dritan Abazoviç: Atë çka kemi krijuar ne në Mal të Zi….ju duhet ta dini që jemi shtet që 30 vite kemi patur të njëjtin pushtet, kjo është ngjarja kryesore dhe kur kanë ardhur ndryshimet para dy vitesh është ditur se nuk mund të krijohet një stabilizim i jashtëzakonshëm. Në ato kushte mendoj se vendi ka marre disa vendime jashtëzakonisht të mira dhe ne kemi përfunduar një vit i cili ka qenë, në nivel global shumë i komplikuar, 2022-shi. Vitin e kaluar e kemi kaluar me parametra jashtëzakonisht të mira në mënyrë ekonomike dhe me arritje në disa gjëra politike, siç është lufta kundër korrupsionit, duke dhënë rezultate konkrete.

Zëri i Amerikës: Cila do të ishte zgjidhja për krizën sipas jush a jeni ju për zgjedhje të parakohshme?

Dritan Abazoviç: Ne jemi për zgjedhje. Në çdo vend që ekziston një mosmarrëveshje tek shumica duhet të shkohet në zgjedhje, por duhet të shkohet pikë së pari duke krijuar kushtet në Gjykatën Kushtetuese, kjo është përfunduar, me kry zgjedhjet presidenciale, të cilat kanë ardhur pas mbarimit të mandatit të presidentit edhe kjo gjë do të përfundojë më 2 prill, dhe pastaj partitë politike do të vendosin se çfarë do të bëhet. Në rast se duan të shkojnë në shkëputjen e mandatit, dakord, s’jam kundër asaj. Në rast se do të shkohet në një reformë zgjedhore, edhe ajo mundet me qenë çështje, po sido që jetë, do të shkohet në zgjedhje. Tani është edhe e shumtë me fol për zgjedhje pasi dhe mandati i rregull, perfundon në vitin 2024, ne tani jemi 2023, pra a kanë për të qenë disa muaj më herët, disa muaj më vonë… kjo nuk është më çështje. Nuk jam kundër zgjedhjeve parlamentare, mendoj se ato kanë për të treguar politikën të cilën e kemi afirmuar këto dy vite dhe vetëm ka për të fituar fuqi.

Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër, kur erdhët në pushtet, ju erdhët me flamurin e anti-korrupsionit, si sfida juaj më e rëndësishme. Por në raportin e Departamenti amerikan të Shtetit, mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në botë, për sa i takon vendit tuaj, thuhet se korrupsioni vazhdon të jetë problem, që jo vetëm nuk u ndalua, por u la të lulëzojë edhe më tej. Po kështu janë ngritur shqetësime mbi punësimet partiake, problemet në pavarësinë e gjyqësorit. Cila është përgjegjësia juaj lidhur me këto problematika që evidentohen?

Dritan Abazoviç: Ju po krijoni një dialog sikur çdo gjë që them unë nuk është e vërtetë, dhe ajo që thoni ju është e vërtetë, nuk e shoh me kuptim me bë këtë lloj dialogu…

Zëri i Amerikës: Nuk e them unë, e thotë Departamenti i Shtetit…

Dritan Abazoviç: Kurrë në Mal të Zi, kurrë në histori të tij, nuk ka pasur më shumë luftë kundër korrupsionit. Ne në këtë moment kemi kryet e sistemit gjyqësor në burg, kryet e sistemit të policisë në burg, kemi njerëz të politikës ne procesim e shume te tjere në të ardhmen. Kemi shtetin me parametra ekonomike shumë më të mirë, pasi taksa paguesit janë më të disiplinuar, kemi luftën kundër kontrabandës së cigareve, kundër kokainës. Kemi luftën kundër kontrabandës së kokainës, që për madhësinë e shtetit, mund të krahasohet me secilin shtet në botë edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. A keni dëgjuar ndonjë shtet në botë ku janë ndaluar për një vit afro 2 tonë kokainë, me 600 mijë banorë dhe me një port të vogël?

Zëri i Amerikës: Ju po thoni se ka një perceptim të gabuar mbi rezultatet?

Dritan Abazoviç: Nuk ka perceptim. Ne vetëm kemi lëvdata edhe nga Europoli edhe nga SHBA-të. Raporti i DASH-it ka fol për sistemin gjyqësor, të cilin ne ende nuk e kemi prekur pasi ligji dhe kushtetuta, nuk e lënë të preket. Ne kemi pas një vit luftë për të ndruar prokurorin kryesor, për krimin e organizuar, kemi pasur pengesa prej partnerëve tanë evropianë, se ata kanë thënë se do të jetë revanshizëm i qeverisë së re. Mirëpo kur e kanë kuptuar se njerëzit të cilët i kemi zëvendësuar kanë qenë pjesë e krimit të organizuar, çdo kush ka ardhur edhe ka thenë urime për këtë punë. Unë këto gjëra mundem me i pa dhe ato gjëra i shohin njerëzit në Mal të Zi. Nëse duam të krijojmë një klimë ndryshe nga ajo qe eshte e verteta? Qëllimi im është të them të vërtetën. Ju mund ta shtroni pyetjen dhe komentin si e mendoni vetë.

Zëri i Amerikës: Unë e bazoj pyetjen tek raporti i Departamentit amerikan të Shtetit….Nje pyetje te fundit zoti Kryeminister. Në fund të shkurtit Gjykata Kushtetuese e Malit të Zi arriti të bëhet funksionale, duke zgjedhur edhe tre anëtarë të rinj të saj, por jo kandidatin e katërt, një jurist nga Ulqini, përfaqësues i partive pakicë, zgjedhja e të cilit do ta bënte të plotë këtë institucion me të gjithë anëtarët. Pritet që së shpejti të ketë një votim të dytë. A prisni që këtë herë ai t’i sigurojë votat?

Dritan Abazoviç: Jam shumë pro të zgjidhet juristi nga Ulqini, jo se është nga Ulqini, por sepse ne kemi nevojë ta kompletojmë Gjykatën Kushtetuese. Dhe në raundin e parë ka patur përkrahjen e partisë sonë. Partia e cila nuk e ka lënë me u zgjedh është partia e analizave që keni lexuar ju, ish-partia e ende Presidentit të shtetit Milo Gjukanoviç. Partia e cila ka qejf të tregohet si pro evropiane nuk ka lënë dikë prej pakicave të vendoset si anëtar i Gjykatës Kushtetuese, dhe partia që ju keni lexuar të dhënat se gjërat nuk shkojnë mirë në Mal të Zi. Ne jemi dicka ndryshe. Unë shpresoj se do të zgjidhet kandidati prej popullsisë pakicë. Do të kompletojmë Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykata Kushtetuese mund të sjellë vendime të pavarura dhe profesionale ashtu si i mendojnë ata. Mendoj se me këtë pyetje, dikush që po dëgjon intervistën e ka më të qartë se çka ndodhi në Mal të Zi. Pra një sistem që ka qenë i bllokuar 30 vjet, nuk do me lëshu pe dhe nuk do të lërë shtetin të ecë përpara. Por ata me politikat e së shkuarës dhe politika të ’90-s, duan të krijojnë një narrativë sikur çdo gjë s’është në rregull, meqë ata s’janë në pushtet, mundet çdo gjë të marrë fund. Jo! S’është kjo. Ne do të shtyjmë Malin e Zi në drejtim të duhur me sfidat që kemi. Ato janë ekzistuese dhe këto nuk i anashkalojmë. Dhe mendoj se shteti ynë ka me arrit atë çka është qëllimi, me u bë sa më parë anëtar i Bashkimit Evropian. /VOA

Lexo gjithashtu
Total
0
Share