2 të burgosur në Virxhinia të SHBA-së kanë mundur të thyejnë murin e një qelie për t’u arratisur por kjo ju zgjati vetëm disa orë pasi ata u gjetën në një restorant. 37-vjeçari John Garza dhe 43-vjeçari Arley Nemo u raportuan të zhdukur nga qelia e tyre në burgun Newport në Virxhina gjatë një numërimi rutinë të të burgosurve.
Referuar një hetimi paraprak, “The Mirror” raporton se ata shfrytëzuan një dobësi në ndërtimin e murit të burgut dhe me mjete rrethanore, me një furçë dhëmbësh dhe me një objekt metalik mundën që të çanin murin për të vazhduar planin e tyre të arratisjes. Pasi u arratisën nga qelia e tyre, ata u ngjitën në një mur rreth burgut.
Megjithatë, ata u gjetën disa orë më vonë në një restorant jo shumë larg burgut ku ata vuanin dënimin.
37-vjeçari Garza po vuan dënimin me burg për akuzat “mospërfillje të gjykatës”, “akuza për mashtrim me kartat e kreditit”, “vjedhje të kartave të kreditit”, “falsifikim”, “vjedhje të mëdha”, “shpërfillje të gjykatës dhe shkelje të provave”.
Ndërkohë, 43-vjeçari Nemo akuzohet për “mashtrimin e kartave të kreditit”, “falsifikimin” si dhe për “vjedhje”./tvklan.al