Berisha: Mos votoni kandidatët e “rivdekjes”, secili është me dosje për burg

Prezanton kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Matin, Skëndër Gjucin

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka prezantuar kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë Mat, Skëndër Gjuci, për zgjedhjet vendore të 14 Majit.

Gjatë fjalës së tij, krydemokrati Berisha ka bërë thirrje që në 14 Maj të votohet për Gjucin teksa thotë se fitorja e tyre është e Shqipërisë që nuk pranon monizimin e që beson tek e ardhmja.

Sali Berisha: Më 14 Maj qytetarët e Matit dhe mbarë Shqipërisë janë të ftuar të votojnë, të shprehin besimin e tyre për kandidatët që ata vlerësojnë më shumë. Në këtë kontekst unë dua të theksoj se kandidatët që paraqesim kësaj here si aleanca ‘Bashkë Fitojmë’ janë kandidatët e parë në historinë e këtij vendi, që nuk emërohen nga kryetari apo kryesia e PD-së, por që janë përzgjedhur dhe votuar nga ju, dhe ju garantoj se kjo është norma, standardi më i avancuar i lirisë për një forcë politike. Kjo është mënyra më e përgjegjshme, më transparente për të vendosur në drjetim në qeveri vendore, parlament, parti njerëzit që ju vlerësoni më shumë. Një vit e gjysëm më parë dhe në këtë sallë dhe në çdo takim, demokratët kishin një kërkesë; ti emërojmë ne dhe të mos na i emërojë kryesia e partisë në Tiranë, përfaqësuesit tanë. Jam i kënaqur që vij këtu sot para jush me këtë kërkesë legjitime plotësisht të plotësuar. Çfarë do përpjekje që u bënë unë ju garantoj ju se kam qëndruar në anën tuaj dhe tek po vija lexova mesazhin e një demokrati, i cili më falënderonte, më tha se; u tregove stoik për primaret dhe na nderove ne si demokratë. Kjo është e vërteta, ishte si një praktikë e parë, një praktikë që u zhvillua në mënyrë të shkëlqyer, në të cilën ju treguar një shkallë të lartë politike, formimi politik, një vlerësim të madh për lirinë dhe sot ne shkojmë ballë hapur para të gjithë zgjedhësve, demokratë, socialistë, pa parti, me Skënder Gjucin, Bedri Hoxhën, Ismail Ukën dhe me çdo kandidate dhe kandidat në Shqipëri. Ndaj dhe ju ftoj të bëjmë gjithçka, natën ditë, të derdhim djersë dhe të sakrifikojmë për të mbrojtur vlerat e kandidatëve tanë, për të promovuar kandidatët tanë, për të bërë gjithçka për fitoren e tyre. Fitorja e tyre është fitore e lirisë, është fitore e gjithsecilit prej jush, është fitore e idealeve tuaja, e një Shqipërie që nuk pranon monizmin, e një Shqipërie që beson tek vetja dhe e ardhmja.

Kryedemokrati Berisha ka bërë thirrje që të mos votohen kandidatën e PD, të cilët i ka quajtur “kandidatët e mafias shtetërore” dhe të “rivdekjes”.

Sali Berisha: Mos votoni kandidatët e mafies shtetërore, secili është me dosje për burg sepse me dosje për burg është Rama sepse ka firmosur me dorën e tij pam-pam-pam dhe fap-fap për 3 djegësa në kundërshtim flagrant me ligjin sepse firmosi për veten dhe arabin e tij, aferën e Portit të Durrësit, 5 miliardë Euro. Mos votoni kandidatët e “rivdekjes” sepse janë të gjithë për burg sepse për burg është Edi Rama, është McGonigal, Rama është McGonigal tej Atlantikut. Janë firmat e tij që faktojnë se vendosen vetëm për të vjedhur vetë me klanin e tij, Me Agaçin, Ahmetajn e Veliajn.

Gjatë fjalës së tij, Berisha është shprehur se “Rama vjedh çdo ditë dhe çdo ditë forcon lidhjet me krimin, mafian dhe drogën”.

Sali Berisha: Këto zgjedhje janë vërtetë vendore për qeveritarët vendorë, por këto zgjedhje kanë një rëndësi të jashtëzakonshme, kanë atë rëndësi që kanë pasur zgjedhjet e viteve 1990, sepse ne njësoj si në vitet ’90, përballemi me një monizëm të dytë të pamëshirë, me një monizëm i cili po shkatërron, rrënon këtë vend, shkreton këtë komb. Në histori ju e dini, dramat më të mëdha të kombeve, pushtimet më të egra të kombeve kanë qenë monizmat dhe ajo që ne pamë si shqiptarë në diktarurën moniste, ishte monizmi më i pamëshirshëm i Europës. Ai monizëm bazohej në doktrinën Marksiste-Leliniste, por sot Edi Rama ka 10% më shumë pushtet se diktatori i fundit komunist në 1991. Sot Edi Rama kontrollon çdo pushtet në këtë vend, sot Edi Rama qeveris duke mos respektuar asnjë ligj, asnjë normë, asnjë standard, asnjë vendim. Sot Edi Rama e ka shndërruar qeverinë e tij në një organizatë të mirëfilltë kriminale, e cila nga njëra anë vjedh çdo orë, çdo ditë, çdo natë, çdo javë, çdo muaj, fondet publike, pasuritë publike të shqiptarëve dhe nga ana tjetër trash çdo orë, çdo ditë e më shumë lidhjet me krimin, mafian dhe drogën. Të gjitha këto së bashku kanë tjetërsuar Shqipërinë për shqiptarët. Të gjitha këto së bashku kanë bërë që shqiptarët të mos ndihen më si në vendin e tyre, por të largohen dhe vetëm të largohen.

Kryedemokrati Berisha ka deklaruar se në vitin 2013, qytetarët shqiptarë kishin rrogat më të larta në Ballkan, ndërkohë që sot kanë rrogën më të ulët në Ballkan dhe Europë.

Sali Berisha: Sot kemi me rrogën më të ulët në Ballkan dhe Europë. Sot rrogat në Shqipëri janë 30-50 % më të ulëta se në Kosovë. Sot çdo pensionist ka një pension me fuqi blerëse, të paktën 30% më të ulët se sa në vitin 2013 për shkak të rritjes së çmimeve. Sot çdo rrogëtar, ka një rrogë me fuqi blerëse të paktën 30% më të ulët se sa në vitin 2013 për shkak të rritjes së çmimeve. Pra sot ka një varfëri të frikshme në rritje. Edhe në 2013 nuk ishim të pasur, por kishte një varfëri në zvogëlim, jepte shpresë se çdo vit do të ishim më mirë. Dhe të gjitha mundësitë, absolutisht çdo mundësi ekzistonte që çdo vit të ishim më mirë, të ngjiteshim më lart, që çdo vit të rriteshin rrogat dhe pensionet, çdo vit të përmirësohej më shumë infrastruktura juaj, shkollat, spitalet, rrugët, vaditja dhe çdo gjë tjetër. Por kjo nuk ndodhi. Nuk ndodhi sepse fondet vidhen, sepse erdhi në pushtet një sekt që ka vjedhur shqiptarët sa kurrë ndonjëherë një regjim i huaj apo vendas në historinë e tyre. Erdhi në pushtet një regjim i cili vjedh, vjedh dhe vetëm vjedh në çdo punë publike nga 70-90 % shumvave./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share