Kovaçevski sqaron vendimin për ngrirjen e çmimeve të vezëve dhe orizit

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski njoftoi sot vendimin e qeverisë për ngrirjen e çmimeve të vezëve të pulës dhe orizit.

“Kemi marrë një vendim për ngrirjen e mëtejshme të çmimeve të produkteve ushqimore bazë, duke përfshirë vezët e pulës dhe orizin, ku çmimet më të larta të tyre do të mbeten në nivelin e çmimeve të aplikuara më 15 mars 2023 me vlefshmëri deri më 30 prill 2023″, tha Kovaçevski.

Kryeministri Kovaçevski, shtoi se me këtë masë Qeveria vazhdon t’i plotësojë nevojat e qytetarëve. Ai sqaroi se çmimi i orizit dhe i vezëve është rritur në periudhën e kaluar, si pasojë e lëvizjeve në drejtim të eksportit dhe importit të këtyre produkteve, përcjell Klan Macedonia

“Për këtë qëllim dhe në prag të festave të ardhshme të Pashkëve dhe Bajramit, për të parandaluar një çekuilibër të mundshëm në tregun vendas dhe mungesën e vezëve të pulës, sugjerohet që prodhuesit të shesin të paktën 70% të prodhimit vendas të vezëve në tregun e brendshëm, ndërsa shitësit me pakicë të vazhdojnë të blejnë sasinë e zakonshme të vezëve që kanë blerë në janar dhe shkurt 2023”, tha kryeministri./KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share