Xi Jinping në Moskë, kryeministri japonez në Kiev

SHBA: Bota nuk duhet të mashtrohet nga lëvizjet taktike të Rusisë të mbështetura nga Kina

Teksa Lideri kinez Xi Jinping dhe presidenti rus Vladimir Putin po diskutojnë për planin e paqes që mund t’i japë fund luftës në Ukrainë, një lëvizje e papritur ka ardhur pikërisht nga kryeministri japonez Fumio Kishida.

Kishida do të mbërrijë në Kiev ku do të zhvillojë bisedime me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky. Në këtë vizitë të papritur pritet që kryeministri japonez të tregojë solidaritet dhe mbështetje të palëkundur për Ukrainën. Transmetuesi japonez NHK tregoi pamjet e Kishidës duke hipur në një tren për në Kiev në qytetin kufitar polak të Przemysl.

Kryeministri japonez do të tregojë refuzimin e tij absolut ndaj ndryshimit të njëanshëm të status quo-së të Rusisë duke pohuar angazhimin e tij për të mbrojtur rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla, thuhet në deklaratën e ministrisë. Kishida, i cili do të kryesojë samitin e G7 në Maj, është i vetmi udhëheqës i grupit që nuk e ka vizituar Ukrainën. Për shkak të kufizimeve të kushtetutës të Japonisë, udhëtimi i kryeministrit u organizua në fshehtësi. Vizita e papritur në Ukrainë nga Fumio Kishida i bën presion të konsiderueshëm presidentit të Kinës gjatë vizitës së tij shtetërore në Rusi.

Nga ana tjetër udhëtimi i Xi-t në Moskë është parë si një nxitje e madhe për partnerin e tij strategjik Putin, i cili është subjekt i një urdher arresti të Gjykatës Penale Ndërkombëtare mbi akuzat për dëbim të paligjshëm të fëmijëve ukrainas. Ata zhvilluan katër orë e gjysmë bisedime, duke e quajtur njëri-tjetrin miq. Lideri kinez së fundmi gjithashtu e ka ftuar kreun e Kremlinit të vizitojë Pekinin.

Por, ky takim nuk është lënë pa u komentuar edhe nga SHBA –ja e cila e ka cilësuar si një mbulesë diplomatike për krimet e luftës të kryera nga Rusia.

“Thirrja për një armëpushim që nuk përfshin largimin e forcave ruse nga territori ukrainas do të ishte në mënyrë efektive mbështetje për ratifikimin e pushtimit rus. Kjo do t’i mundësonte Rusisë të forconte më tej pozicionet Në Ukrainë. Bota nuk duhet të mashtrohet nga asnjë lëvizje taktike e Rusisë, e mbështetur nga Kina ose ndonjë vend tjetër për të mbështetur luftën me kushtet e veta. Një veprim i tillë do të shkelte statutin e OKB-së.”

Analistët e politikës së jashtme janë shprehur se vizita e liderit kinez në Moskë shihet më shumë si një vizitë për t’i ofruar atij mbështetje ushtarake të cilën Pekini e ka mohuar prej kohësh se furnizon me armë Rusinë. Ndërkaq Xi Jinping mund të flasë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy vetëm me telefon. “Ne presim konfirmimin”, tha zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk për gazetën italiane Corriere della Sera. “Ky do të ishte një veprim i rëndësishëm. Ata kanë gjëra për t’i thënë njëri-tjetrit”, u shpreh ajo.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share