Macron përballet me mocionin e mosbesimit

ANALISTET PRESIN QE PRESIDENTI TE EMEROJE NJE KRYEMINISTER TE RI

Me dy mocione mosbesimi do të përballet qeveria e Macron në dhomën e ulët të Asamblesë Kombëtare. Disa analistë presin që nëse qeveria qëndron apo bie, Macron së shpejti do të emërojë një kryeministër të ri për të rivendosur popullaritetin e tij. Grevat do të kulmojnë në një protestë mbarëkombëtare të enjten.

Qeveria e Macron perballet me dy mocione mosbesimi në dhomën e ulët të Asamblesë Kombëtare pas miratimit pa votim të reformës të pensioneve.

Lëvizja, e cila pasoi javë protestash kundër rritjes së moshës së pensioneve, shkaktoi trazira dhe demonstrata në Paris dhe në të gjithë vendin, duke kujtuar protestat e jelekverdhëve që shpërthyen në fund të 2018-ës për çmimet e larta të karburantit.

Megjithatë, ndërsa mocionet në Asamblenë Kombëtare mund të shfaqin një lloj zemërimi ndaj qeverisë së Macron, ato nuk kanë gjasa ta rrëzojnë atë. Ligjvënësit e opozitës paraqitën dy mocione mosbesimi në parlament të premten  e kaluar. Grupi qendror Liot propozoi një mocion mosbesimi shumëpartiak, i cili u bashkënënshkrua nga aleanca e ekstremit të majtë Nupes. Gjithashtu edhe partia e ekstremit të djathtë të Francës Rally National, e cila ka 88 anëtarë të Asamblesë Kombëtare paraqiti një mocion mosbesimi.

Por pak vëzhgues besojnë se opozita mund të mbledhë votat e nevojshme për të rrëzuar qeverinë. Macron   i cili nuk ka bërë asnjë koment publik që nga miratimi i reformës është shprehur se do t’i shkojë deri në fund kësaj reforme. Qeveria i ka argumentuar ndryshimet në ligjhin e pensioneve si të nevojshme për të shmangur deficitet në dekadat e ardhshme të lidhura me plakjen e popullsisë së Francës.

Kundërshtarët e reformës thonë se ajo vendos një barrë të padrejtë për personat me të ardhura të ulëta. Sondazhet kanë treguar vazhdimisht se shumica janë kundër ndryshimeve.

KORRESPONDENTI POLITIK FRANCEZ MICHEL ROSE:  Njerëzit janë të zemëruar sepse kanë protestuar për javë të tëra duke thënë se janë kundër kësaj reforme. Ata nuk duan të punojnë dy vjet shtesë dhe mendojnë se qeveria nuk i ka dëgjuar. Ka një histori edhe në Francë të reformave që janë lënë në sirtar edhe pasi janë miratuar nga Parlamenti, kështu që protestuesit ndoshta mendojnë se mund ta detyrojnë qeverinë të bëjë një kthesë, edhe nëse reforma është miratuar në Parlament. Megjithatë ka shumë pak gjasa që ata të kenë sukses në rrëzimin e qeverisë.

169 persona u arrestuan në mbarë vendin gjatë protestave në kryeqytet. Grevat, do të vazhdojnë për disa ditë të tjera të cilat do të kulmojnë në një protestë mbarëkombëtare të enjten. Disa analistë presin që nëse qeveria qëndron apo bie, Macron së shpejti do të emërojë një kryeministër të ri për të provuar të rivendosë popullaritetin e tij.

GAZETARE: LIVIA KALLFA

PAMJET: REUTERS

Lexo gjithashtu
Total
0
Share