Marrëveshja pa firmë mes Kosovës dhe Serbisë, Berisha: Vuçiç nuk firmosi megjithëse Kurti pranoi Asociacionin

Pas afro 12 orësh negociatash të mbajtura në Ohër, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshjen për zbatimin e planit europian për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, por mosmarrëveshjet mes të dyja palëve mbeten. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, nuk nënshkruan një marrëveshje konkrete, por ranë dakord për zbatimin e saj sa më parë.

Në lidhje me këtë lajm, ka reaguar dhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha përmes një postimi në Facebook. Berisha e nis reagimin e tij me fjalët: Vuçiç nuk firmosi megjithëse Kurti pranoi Asociacionin!

Ndër të tjera, Berisha thotë se Vuçiç nuk e ka firmosur marrëveshjen pasi sipas tij, kishte urdhër nga Kremlini të mos firmosë planin franko-gjerman që e detyron atë të zbatojë sanksionet e BE ndaj Rusisë.

Kryedemokrati shton se Vuçiç nuk ndjek interesat e kombit serb, por ndjek ato të ultranacionalizmit primitiv konfliktual serb.

Sali Berisha:Vuçiç nuk firmosi megjithëse Kurti pranoi asociacionin!

Miq, takimi shumë orësh i Ohrit perfundoi me ‘sukses’, por marrëveshja nuk u firmos sepse atë nuk e firmosi presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Në takimin e parafundit në Bruksel ai la të kuptohej se nuk firmosi mbasi kryeministri Kurti nuk pranoi të diskutonte për Asociacionin. Kurse në takimin e Ohrit kryeministri Kurti pranoi të diskutojë për Asociacionin dhe njëlloj si në Bruksel ishte i gatshëm të firmoste marrëveshjen franko-gjermane.

Në përfundim, Vuçiç deklaroi se nuk kam firmosur asgjë dhe se ai nuk firmos marrëveshje ndërkombëtare juridike me Kosovën. Por nuk tha se Kurti nuk pranoi të diskutojë për Asociacionin dhe shpjegoi pse nuk firmosi, sepse sipas tij Kosova nuk është shtet i njohur ndërkombtarisht pa çka se atë e kanë njohur 95% e vendeve të lira të botës. Ai gjithashtu tha se ra dakord për disa pika, por nuk tha se për cilat pika nuk ra dakord.

Pra ai tregon se edhe marrëveshjen franko-gjermane e trajton si shportë në të cilën mund të blejë vetëm ato që do ai. Në të vërtetë ai nuk firmosi sepse kishte urdhër nga Kremlini të mos firmosë planin franko-gjerman që e detyron atë të zbatojë sanksionet e BE ndaj Rusisë. Ai nuk është dakord që vendi i tij të dalë nga ombrella ruse dhe të shndërrohet nga Rusi e Vogël në Ballkan në Serbi Europiane. Vuçiç nuk ndjek interesat e kombit serb, por ndjek ato të ultranacionalizmit primitiv konfliktual serb.

Pra në Ohër nuk pati marrëveshje të firmosur sepse presidenti i serbomadhisë Aleksandër Vuçiç nuk firmosi ndonëse marrëveshja si çdo marrëveshje tjetër për të qënë ligjerisht detyruese, duhej firmosur. Ideja se monitorimi nga BE i zbatimit të së dakortësuar gjatë pocesit të negociatave për anëtarësim të BE e bënë atë një marrëveshje sui generis e cila de facto as de jure nuk mund të zëvendësojë një marrëveshje të firmosur detyruese bilaterale.

Ky qëndrim i Vuçiç dëshmon se ai sa të jetë në pushtet nuk do firmosë ndonjëherë marrëveshje me Kosovën. Marrëveshja Kosovë-Serbi është e një rëndësie parësore jo vetëm per dy vendet, por dhe rajonin madje dhe Europën. Ndaj dhe mendoj se në vend që të quhet dhe pranohet si marrëveshje një dokument i pafirmosur, pala që refuzon firmën duhet të përballet me pasojat e paralajmëruara nga BE dhe SHBA për ata që refuzojnë ta firmosin atë. Në të kundërt zvarritja do jetë e gjatë dhe me kosto të lartë./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share