Hovenier: Plani i BE-së sjell përfitime reale

MË 18 MARS TAKIMI KURTI – VUÇIQ NË OHËR

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, vlerëson se plani i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi sjell përfitime reale, praktike, politike dhe ekonomike.

Ai tha se fokusi kryesor tani duhet të jetë te “zbatimi i suksesshëm dhe efektiv” i planit.

“Më duhet të jem i qartë, SHBA-ja vlerëson se në këtë moment, nuk ka marrëveshje më të mirë në dispozicion. Ky është një hap i rëndësishëm përpara. Nëse Kosova kontribuon në mënyrë konstruktive në këtë drejtim, SHBA-ja do t’i ripërtërijë përpjekjet për ta ndihmuar vendin që t’i bashkohet Partneritetit të NATO-s për Paqe” – tha Jeffrey Hovenier, ambasador i SHBA-së në Kosovë.

Tha se është e rëndësishme të ketë një ripozicionim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, që do t’i kontribuonte stabilitetit rajonal dhe do t’i mundësonte, Kosovës që të ecë përpara në shumë mënyra.

“Ne presim marrëveshje përfundimtare që përqendrohet në njohje reciproke. Të gjitha vendet që kanë qëndruar dhe qëndrojnë me Kosovën, besojnë se është një gjë shumë e mirë dhe po bëjnë përpjekje të jashtëzakonshme për të parë avancimin e tij dhe përfundimin e suksesshëm të negociatave” – tha Jeffrey Hovenier, ambasador i SHBA-së në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pritet të takohen në Ohër të Maqedonisë së Veriut më 18 mars, për të diskutuar zbatimin e planit 11-pikësh të BE-së.

Takimet fillimisht të ndara me Borrelin do të nisin në orën 10 për të vazhduar më vonë takimi i përbashkët i dy liderëve me ndërmjetëismin e BE-së.

Dy udhëheqësit u dakorduan muajin e kaluar se përmbajtja e tij nuk ka nevojë të diskutohet më tej.

Para takimit të Ohrit në Beograd po qëndron edhe I dërguari I SHBA-së për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar I cili më pas pritet të vizitoj edhe Prishtinën. /KlanMacedonia/

Përgatiti: Blerta Dalloshi Berisha

Lexo gjithashtu
Total
0
Share