Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se plani i zbatimit të propozimit evropian mbase nuk duhet të diskutohet vetëm në Ohër, raporton Ekonomia Online.
Duke folur para gazetarëve pas edicionit të dhjetë të “Javës së Gruas”, Kurti është shprehur optimist se do të ketë dakordim mes palëve në takimin e Ohrit, më 18 mars.
“Plani i zbatimit duhet të diskutohet në Ohër, e mbase jo vetëm në Ohër. Unë jam optimist, mirëpo tash se a do të ketë sukses a nuk do të ketë sukses, ju e dini shumë mirë që nuk varet vetëm prej meje. Unë kam, ofruar që edhe në 27 shkurt ta nënshkruajmë marrëveshjen. Nëse ka pasur mossukses asnjëherë nuk ka qenë për fajin tim sepse unë kam qenë i përkushtuar, konstruktiv dhe kreativ”, ka thënë Kurti.
Sipas tij, bashkë me konkluzione që janë bërë në Bruksel, del se nga 2 korriku i vitit 2011 e deri më 25 gusht të vitit 2015 janë 39 marrëveshje gjithsej dhe se Asociacioni i komunave me shumicë serbë përbën gjashtë pikat e para të një marrëveshjeje 15 pikëshe e cila është e 16-ta prej 39 marrëveshjeve.
“Ne jemi dakorduar për propozimin evropian, me iniciativë franko-gjermane dhe aty janë pesë fjali në preambulë, janë 11 nene gjithsej, le ta diskutojmë planin e zbatimit. Unë e di që Serbia shtynë shumë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por ne e dimë qëndrimin e Serbisë por unë dua t’i referohem asaj për çfarë jemi marrë vesh dhe atë që keni mundur ta lexoni që ët gjithë, e plani i zbatimit duhet të negociohet në Ohër, e mbase jo vetëm në Ohër”, tha Kurti. /EO