Zgjatja e saj synohet të realizohet përtej 18 marsit
Marrëveshja për eksportet e grurit ukrainas synon që të zgjatet përtej 18 marsit. Turqia e ka konsideruar si një hap pozitiv ndërsa Moska ka sinjalizuar se do të pajtohet me një zgjatje vetëm nëse hiqen kufizimet që prekin eksportet e saj.
Në korrik shënohet një vit qëkur Rusia dhe Ukraina me ndërmjetësimin e Turqisë dhe OKB-së arritën një marrëveshje për rifillimin e eksporteve të grurit.
Edhe pasi shumë pengesave dhe frikës ende të pranishme se Rusia mund ta përdorë grurin si një lloj arme, palët janë zotuar për të zgjatur marrëveshjen përtej 18 marsit. Megjithatë Moska tashmë ka sinjalizuar se do të pajtohet me një zgjatje vetëm nëse hiqen kufizimet që prekin eksportet e saj.
Ministri turk i Mbrojtjes Hulusi Akar u shpreh se kjo është kjo është një shenjë positive që të dyja palët po kërkojnë që marrëveshja të zgjatet me qëllim parandalimin e një krizë globale ushqimore duke lejuar që gruri ukrainas të eksportohet në mënyrë të sigurt nga portet ukrainase.
Marrëveshja u zgjat për 120 ditë në nëntor dhe do të rinovohet nëse asnjë palë nuk kundërshton. Kremlini në një deklaratë ka bërë të ditur se nëse kjo marrëveshje është e barabartë, atëherë edhe Rusia do të përmbushë pjesë e saj në marrëveshje.
Eksportet bujqësore të Rusisë nuk janë vënë në shënjestër nga sanksionet perëndimore, por Moska thotë se kufizimet në pagesat e saj, logjistikën dhe industritë e sigurimeve janë një “pengesë” që ajo të jetë në gjendje të eksportojë drithërat dhe plehrat e saj. Pothuajse 23 milion ton drithë dhe produkte të tjera ushqimore janë eksportuar nëpërmjet Iniciativës së Drithërave të Detit të Zi, sipas Qendrës së Përbashkët të Koordinimit në Turqi, e cila mbikëqyr zbatimin e marrëveshjes.
GAZETARE: LIVIA KALLFA