Meta, kompania që zotëron Facebook dhe Instagram, është duke punuar në një aplikacion të pavarur të rrjeteve sociale të bazuar në tekst. Aplikacioni i ri mund të konkurrojë me Twitter-in dhe konkurrentin e tij të decentralizuar, Mastodon.
“Ne po eksplorojmë një rrjet social më vete të decentralizuar për ndarjen e përmbajtjes së tekstit. Besojmë se ka një mundësi për të krijuar një hapësirë të dedikuar ku krijuesit dhe personazhet publikë mund të ndajnë në kohën e duhur lajmet që lidhen me interesat e tyre”, tha një zëdhënës i Meta-s.
Një aplikacion i ngjashëm me Twitter-in do t’i mundësonte Meta-s që të përfitonte nga kaosi aktual në kompaninë e udhëhequr nga Elon Musk.
Si kujtesë, Musk i është afruar intensivisht uljes së kostos dhe Twitter po lufton në një betejë të madhe për të mbajtur bazën e reklamuesve pasi Musk mori përsipër kompaninë në fund të vitit të kaluar.
Aplikacioni i ri i kompanisë Meta ka emrin e koduar P92 dhe do t’u mundësojë përdoruesve të hyjnë duke përdorur të dhënat ekzistuese të hyrjes në Instagram, shkruan BBC.
Aplikacioni i ri do të bazohet në një kornizë të ngjashme me atë që fuqizon Mastodon, shërbimi më i ngjashëm me Twitter i lançuar në 2016.
Meta planifikon lëvizjen në një kohë kur platforma e tyre më e madhe, Facebook, po përpiqet të tërheqë vëmendjen e një audiencë më të re. Meta gjithashtu ka investuar shumë në metaverse, një botë virtuale ku përdoruesit ndërveprojnë dhe punojnë, por që ende nuk është materializuar.
Aplikacioni i tyre për ndarjen e videove, Instagram, po përballet gjithashtu me një konkurrencë të ashpër pasi shumë krijues të përmbajtjes largohen nga platforma dhe kalojnë në TikTok.