Klan Debat: Investimet e huaja në raport me të vendit

DESPOTOVSKI DHE ISENI PËR KUSHTET E PUNËS BRENDA JASHTË ZONAVE TIRZ

Sektori privat në vend vazhdon të ketë dyshime nëse investimet e huaja në zonat teknologjike-industriale, të ndihmuara me benefite të shumta nga shteti, janë të vlefshme për ekonominë vendase. Drejtori i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore thotë se kompanitë vendase, në raport me shërbimet nga administrata hasin në shërbime të ngadalshme, ndërsa  për ato të huaja procesi zhvillohet shumë shpejt. Nga ana tjetër, drejtori i TIRZ, Jovan Despotovski shpreh bindjen – gjërat ndryshojnë, ndërsa shteti ka shumë përfitime nga fabrikat e huaja.

Nga 14 lokacione në vend në përbërje të zonave zhvillimore teknologjike-industriale në vend, klientë, përkatësisht fabrika të ndërtuara nga investitorët e huaj ka në tetë prej tyre, por katër janë ende të zbrazëta, kryesisht në Maqedoninë Lindore. Nëse deri pothuajse 95% të produkteve në zona ishin në fushën e pjesëve për automobila, viteve të fundit janë kthyer kah energjetika dhe fabrikat për nevoja medicinale. Por, sektori privat vazhdon të pyesë nëse shteti ka përfitim real nga investitorët e huaj të cilët këtu gëzojnë privilegje, ndërsa përfitimin e dërgojnë në vendet e tyre.

“Jo gjithmonë ato të dhëna janë lehtësisht të kapshme, ndonjëherë janë selektive. Prej moti kërkojmë nga Qeveria t’i tregojë ato të dhëna, çfarë dhe sa jepet si ndihmë shtetërore. Nga të dhënat që i kemi rreth 150 milionë euro në nivel vjetor paguhet në kompanitë e huaja për 16 500 të punësuarit e tyre” – tha Drilon Iseni, drejtor OEMVP.

Drejtori i TIRZ-it, Jovan Despotovski, në Klan Debatin e mbrëmshëm theksoi se nga investimet e huaja ka përfitime të dukshme për ekonominë vendase.

“Kompanitë punojnë mirë. Mesatarisht kemi të dhëna dyshifrore për rritje, të të hyrave, të fitimit, pagat mbeten pak pas produktivitetit, megjithatë kjo ndryshon në vitet e fundit, por efektet në shtet janë të mira. Në fillim të  vitit të kaluar e kemi publikuar të dhënën se vetëm në bazë të kontributeve, tatimit personal dhe tatimit mbi të ardhurat, pa tatimin e fitimit, vitin e kaluar shteti kompanive u ka paguar 1 denar, ndërsa ka fituar 4 denarë” – tha Jovan Despotovski, drejtor i TIRZ.

Si ilustrim Despotovski shtoi se deri në vitin 2016 investimet e përgjithshme në zona kanë qenë rreth 650 milionë dollarë, ndërsa në fabrika kanë punuar rreth 6500 punëtorë. Tani investime prej 650 milionë euro janë arritur vetëm gjatë dy viteve të fundit, me gjithsejt 16 500 të punësuar. /KlanMacedonia/

PËRGATITI: BILJANA GEORGIEVSKA

Lexo gjithashtu
Total
0
Share