Erdogan zyrtarisht cakton zgjedhjet për 14 maj

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, zyrtarisht ka caktuar që zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të mbahen më 14 maj, një muaj më herët sesa ishin paraparë të mbaheshin.

Zgjedhjet turke do të mbahen tre muaj pas tërmeteve vdekjeprurëse që kanë lënë miliona persona të pastrehë në jug të Turqisë.

“Kombi ynë do të shkojë në zgjedhje për të zgjedhur presidentin dhe deputetët më 14 maj”, tha Edrogan gjatë një fjalimi televiziv pasi nënshkroi vendimin, pak më shumë se një muaj pasi tërmetet lanë të vdekur pothuajse 50.000 persona në Turqi.

Erdogan tha se zgjedhjet do të mbahen më herët sesa 18 qershori, pasi kjo periudhë përkon me mbajtjen e testeve pranuese në universitete, pushimet e verës dhe pelegrinazhit të Haxhit.

Zgjedhjet do të jenë testi më i madh i Erdoganit në 20 vjetët e tij në pushtet dhe do të vendosin jo vetëm se kush do ta udhëheqë Turqinë, por edhe se si vendi do të qeveriset, në çfarë drejtimi do të shkojë ekonomia dhe çfarë roli mund të luajë ky shtet në përfundimin e konfliktit në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme.

Në fillim të javës, gjashtë partitë kryesore opozitare emëruan Kemal Kilicdaroglu, liderin e Partisë Popullore Republikane (CHP), si kandidat të tyre për të sfiduar Erdoganin në zgjedhjet presidenciale.

Erdogan tha se fushata e tij do të përqendrohet në rimëkëmbjen nga tërmetet. Të gjithë kandidatët për deputetë nga partia e tij kanë bërë donacione në fondin për tërmetet të Autoritetit për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe emergjencave, tha Erdogan.

Në dekretin e publikuar në Gazetën Zyrtare u tha se të mbijetuarit e tërmeteve do të gëzojnë të drejtën e tyre të votimit edhe nëse janë zhvendosur, që nënkupton se banorët mund të votojnë në qytetet ku aktualisht po jetojnë.

Erdogan tha se mbi 47.000 persona kanë vdekur në Turqi për shkak të tërmeteve, dhe së bashku me viktimat në Siri, numri viktimave ka shkuar mbi 53.000.

Mbi 600.000 shtëpi janë shembur ose dëmtuar rëndë, thuhet në të dhënat zyrtare turke.

Sondazhet sugjerojnë se garat për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare do të jenë të ngushta, me bllokun opozitar që është në një epërsi të vogël karshi aleancës qeverisëse.

Blloku opozitar është zotuar se do të heqë dorë nga disa prej politikave ekonomike të Erdoganit, ato për të drejtat e njeriut dhe çështjet e jashtme. Shumë analistë vlerësojnë se këto do të jenë zgjedhjet më të rëndësishme në historinë 100-vjeçare të Republikës./REL

Lexo gjithashtu
Total
0
Share