ITSHKSH: Shkupi një degë e vullkanit të pashuar të Adem Jasharit

ASANI: “JEMI ME FAT QË ADEM JASHARIN E PATËM NË SHKUPIN DARDAN”

Përvjetori jubilar i Epopesë së UÇK-së u shënua edhe në Shkup në Organizim të Institutit për Trashëgimi Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, raporton KlanM. Nuk kishte se si të mungonte Ansambli i Shtetëror i këngëve dhe valleve shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

“Shkupi një degë e vullkanit të pashuar të Adem Jasharit”. Në këtë temë, sic njofton KlanM, para të pranishmëve u paraqit Drejtori i Institutit për Trashëgimi Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve Skender Asani. Ai tha se jemi me fat që këtë figurë të madhe të kombit e patëm në Shkupin dardan në fillim të viteve të 90-ta.

“Është meritë e shkupjanëve, parasë gjithash e atyre që ishin shokë dhe bashkëpunëtorë të Adem Jasharit, të cilët pa i llogaritur pasojat dhe rreziqet, i ofruan strehim dhe logjistikë, njeriut i cili më vonë do të shkruaj historinë e lavdishme të Kosovës me gjakun e vet dhe të familjes, duke u bërë kështu  simbol i rezistencës së organizuar kundër pushtuesve serbë. Kur i bënë këto veprime, këta shokë dhe bashkëveprimtarë  nga Shkupi nuk e kishin idenë se një ditë Adem Jashari do të bëhet komandant legjendar dhe do të flijohet bashkë me familjen për lirinë e Kosovës, por ata e dinin shumë mirë se në mesin e tyre kishin një vullkan që po nxiste një energji lëvizëse drejt majave të sakrificës.” – tha Skender Asani.

Ish-ushtarë të UÇK-së, Ambasadorët e Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës, Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut si dhe shumë personalitete nga jeta politike, shoqërore e kulturore madhështuan shënimin e kësaj ngjarjeje historike.

“Epopeja e UÇK-së përbën një ngjarje tejet të veçantë për popullin shqiptar në përgjithësi e Kosovën në veçanti, 25 vite më parë një ekspedite e kombinuar e forcave policore-ushtarake serbe, sulmuan me te gjitha forcat lagjen e Jasharajve në Prekaz të Skenderajt. Në një beteje tejet asimetrike 57 anëtar të familjes Jasharaj u vranë, përfshirë gra, fëmijë e pleq, ata ranë për të mos vdekur kurrë” – tha Florijan Qehaja.

Shkupi dhe Adem Jashari, sic u tha në këtë manifestim, do të jenë të lidhur bashkë në një gjerdan kujtimesh të pashlyer, sikur që janë të pashlyera gjurmët mbi të cilat kaloi karvani i Lëvizjes sonë kombëtare në kalldërmin e Shkupit. /KlanMacedonia/

Përgatiti: Avni Tahiri

Lexo gjithashtu
Total
0
Share